POEZI NGA FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I POEZISË "DRINI POETIK"

Dren SHALA

 RRËZOHEM
 Po rrëzohem lehtë në tokë
 Po bie në dheun e lehtë
 Po rrëzohem në shokë
 Po rri me peshkaqen në det
 
 Pi raki vuajtje me shije të ëmbël
 Tretje e ngadalshme e dhimbjes së vëngër
 Jashtqitje gëzimi,feste,hareje
 Ngrënje e vetës, vetës i them preje
 
 Shikoj errësiren time të dashur
 Bukurin e errët e të vrazhëd
 Puth lehtësisht buzët e vuajtje së kamur
 Por ndjenja iku me të bardhët
 
Rrëzohem,pi,ha vetveten
Vuaj,shaj,fajsoj jetën
Në fund jam me vetmin në vetmi
Vetmia më thot vuajtja,sharja,faji je ti!

POEZI KONKURRUESE PËR FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DRINI POETIK”,
lexuar në Mbrëmjen qendrore të poezisë, më 10 qershor 2010, në orën 18:00, në Prizren

 

Tafil DURAKU

                     

  SI PAS LUFTËS SË DYTË

gjakun tim sot

si pas Luftës së Dytë

po e pijnë ushunjëzat e zeza

të Drinit të Zi

e këtej ushunjëzat e bardha

të Drinit të Bardhë

se ushunjëza janë

e veç gjaku im i ngopë

e kur takohen pragmotesh

Liqenit të Thjerzës

ushunjëza kameleone bëhen

si pas Luftës së Dytë

edhe pas kësaj lufte ushunjëza

e gjakun tim kërkojnë prore

në Prishtinë në Shkup në Preshevë

në Tiranë e në Podgoricë në Tivar e Ulqin…

e unë lindë diell i ri në horizont

zbres në Prizrenin legjendar

me Orën Shqiptare të Lidhjes

për herë të parë përmot

në manifestimin ndërkombëtar të poezisë

valëve të Drinit Poetik

rrjedh e gjëllin qenia ime

Orën time të poezisë zgjoj

bregut të dy lumenjve të mi shekuj

mbi ujin e vetullës bjeshkore

rri dhe sodis

të shkuarën të sotmen të ardhmen

shoh ushunjëzat

që s’i ngopë

gjaku im shqiptar

gjaku im i shekujve

gjaku im kalvar

me karvanparët e të keqes në ballë

 o Bac o Bac

si pas Luftës së Dytë

po na e bëjnë

më but shpinën se barkun

si pas Luftës së Dytë

lisin po e çkyen

pyka e degës së vet

medet medet Bac

medet…

 

POEZI KONKURRUESE PËR FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DRINI POETIK”,
lexuar në Mbrëmjen qendrore të poezisë, më 10 qershor 2010, në orën 18:00, në Prizren

 

Dibran FYLLI

 

DASHURIA IME

I keq më duket ajri që më përshkon

Lumenjtë duken sikur rrjedhin nga poshtë

Akulli mbi ta s`di të shkrijë

Hapërimet në këtë shekull

Ecin nga lartë e përfundojnë poshtë

E unë nuk dua asgjë prej tyre

As ajrin e këtij shekulli

As mikun tim as ujin e akullt edhe pse jam i etur

Po unë nuk i dua se prej t’gjithave jam bërë të vjellë

 E nuk i dua më as librat 

Që shkruhen në këtë shekull

S’i dua as poezitë e mia të pabotuara

Aq më pak këngët e çoroditura

Unë se dua as veten tashmë

Se miq e armiq një më janë bërë

S’e dua as lirinë e këtij shekulli

As botën djallëzore që më gënjen

Me mijëra ngjyra njerëzore 

I dua vetëm foshnjat ylberore

Që lindin në këtë shekull...

POEZI KONKURRUESE PËR FESTIVALIN NDËRKOMBËTAR TË POEZISË “DRINI POETIK”,
lexuar në Orën e lidhjes, më 10 qershor 2010, në orën 11:00, në Prizren

Search site

© 2014 All rights reserved.