KUR SPORTI, ARTI DHE PUSHKA BËHEN NJË

31/12/2011 16:22

 

Bisedë me Abit Haziraj, mjeshtër i Ajkido Shaollinit

KUR SPORTI, ARTI DHE PUSHKA BËHEN NJË

Një ditë duke shëtitur nëpër Sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj, takuam një burrë me pamje pak më ndryshme nga që ishim mësuar t’i shihnim në sheshet e qyteteve. Ishte biond, me flokë të shkurtra e të rregulluara mirë. Ecjen e bënte në gjysmëvrapim. Nga dukja e tij mashkullore vërehej së ishte sportistë i një stili të veçantë. Diçka të veçantë kishte edhe nga shikimi i mprehtë i tij. Në shikim të parë të dukej si ngucakeq e kazkungji i tipit ekstrem. Ishte ky Abit Haziraj, apo Ninja shqiptar,  nga Llausha e Skënderajt, i shoqërueshëm, mikpritës e fjalëpakë. I vetmi në Kosovë që mbanë gradën II në Ajkido Shaollin, sport ky tradicional japonez i arteve marciale ekstreme. Me Abitin zhvilluam një bisedë për gazetën Olimpiku. Ky sportist e luftëtar lirie na la përshtypjen e një trimi malesh me tradita tipike drenicare, symprehtë si maja e shpatës së tij, yjeve, fytëzës, thikave e shumë mjeteve tjera sportive luftarake, i cili, edhe pse në moshën 55 vjeçare, të gjitha këto i ruan me fanatizëm dhe i përdor me mjeshtëri të përsosur (është zor të besosh se si të gjitha këto mjete sportive luftarake rrotullohen nëpër duart e tij, i shpejtë si vetëtima, i saktë e pa gabime, por ne i pamë me sytë ton demonstrimet profesionale të këtij sportisti).

Abiti me sportin luftarak kishte filluar të merret që nga vitet e ’70-ta, kur ishte nxënës i Gjimnazit në Mitrovicë. Në vitin 1976, si shumë shqiptarë nga Kosova, edhe Abiti kishte migruar në Zvicër. “Prej vitit 1976 deri në vitin 1985 kam ushtruar sportin e karatesë në Zvicër, dhe po në këtë vit, në Japoni jam specializuar për mjeshtërinë e armëve të ftohta duke mbrojtur gradën II në Ajkodo Shaollin”, theksoi me modesti Ninja shqiptar.

Sporti që këtij drenicaku i flenë në shpirtë, nuk është sport olimpik e as kampional, por, Abiti jeton me këtë bukuri të këtij sporti luftarak, mjeshtërinë e të cilit e ktheu në artin e bukur ushtarak, e kjo i duhet çdo shteti dhe ishte dashtë që t’i duhej edhe shtetit ton. Ai, me ironi e thotë se nuk e kanë vlerësuar sportin dhe aftësinë e tij aq sa duhet, as në luftë e as tash kur më së tepërmi ka nevojë Njësia Elite e Policisë se Shtetit.

Në vitin 1993, Abiti duke ushtruar rastësisht njohët me një regjisor filmi i cili i ofron rol në filmin artistik “Stinë Ankthi”, rol të cilin Abiti e realizon me sukses. Kështu rruga e tij prej sportisti, tani merr drejtim artistik duke marr ftesën e radhës që të luaj në filmin e Nexhmedin Sylës “Pritja në Ankth”, edhe kësaj radhe roli i Abitit realizohet me sukses. Pas këtij rrugëtimi të suksesshëm artistik e sportiv, Abiti fillon xhirimin e filmit “Shtat netët e errëta”, film i cili mbeti në kujtesën e tij si punë e papërfunduar, sepse Abiti kishte braktisur sheshin e xhirimit për t’iu bashkuar rreshtave të gjatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kishte ardhur që t’i del në mbrojtje atdheut. E kishte ndier se atdheu kishte nevojë për pushkën e tij. Rrugëtimi i Abitit, nga sporti në art e nga arti në luftëtar i sjell atij epitetin e lirimtarit.

Abiti për luftën flet pak dhe me modesti. Thotë se njehet i lumtur që është njohur me shumë shokë luftëtar e trima që nuk t’i sheh syri. Ai fletë me emocione, kur përmend shokët e tij që i ranë në fushën e nderit, “Edhe sot më duket sikur i dëgjoj fjalët e fundit të Sadikut, i cili dha shpirtë në duart e mija; “...mos u mërzit për mua, më tha, dhe mos u dorëzoni deri në fitore. Kujdes mos t’ua marrin familjet...” Ky zë me tingëllon si porosi. Shpesh herë në heshtje e mendoj dhe kam frikë se ne si shoqëri mos po shkelim mbi amanetin e atyre që ranë për ketë tokë” e thotë Abiti me një emocion të pa përshkruar. Një kujtim për te është edhe pika V e pozicionit të Kodrës së Topave në Kodrën e Baranëve, ku ishte udhëheqës i kësaj pike. Abiti, me sukseset e tij të arritura nëpër beteja, emërohet Zëvendës Komandant i Zbulimit dhe kundërzbulimit (ZKZ), në Brigadën 112 “Arben Haliti”, post ky që e kryen me përkushtim deri në përfundimin e luftës.

Abiti si edhe shumë çlirimtar tjerë, në vitin 2001, arrestohet nga “drejtësia” unmikiane, për vrasjen që s’kishte dorë as dije as lidhje me të. Ai mbahet nëpër qelitë e errëta unimikistaneze plot 780 ditë që bënin 22 muaj dhe pas këtyre muajve të gjatë, lirohet i pafajshëm, duke ia nxjerrë në shesh fytyrën e marrosur të “drejtësisë” unmikiane.

Abiti, momentalisht është punonjës-menaxher i Qendrave Kolektive në Skënderaj. Merret edhe me shkrime poetike. Ka të botuar një vëllim me poezi në vitin 2005. Është i angazhuar në rolin kryesor të filmit artistik “Betimi”. Është shok e mik me të gjithë ata që i donë dhe e duan. Përshëndetjen, përgëzimet dhe mesazhin për lexuesit e Olimpikut, duke u qeshur, drenicaku Abit Haziraj,  na tha më vargje poetike: “...ata që livadhin e bëjnë det, një ditë në te mbyten vet...” dhe “...një lider që ruhet prej popullit të vet, nuk është për udhëheqje as për shtet...”

 df-olimpikupress-2011

 

Back

Search site

© 2014 All rights reserved.