“ KOSOVA DHE ÇËSHTJËA KOMBËTARE, OBJEKTI KRYESOR I JETËS SIME”

PERSONAZH: RAJMONDA MALEÇKA – PUBLIÇISTE, GAZETARE, FOTOGRAFE E
   LUFTRAVE TË SHQIPTARËVE NË BALLKAN


“ KOSOVA DHE ÇËSHTJËA KOMBËTARE, OBJEKTI KRYESOR I JETËS SIME”


FËMIJËRIA
“ Fëmijëria e brezit tim në Tiranë lidhet me interesa të dukshme për shkollën dhe letërsinë në veçanti. Në fotografitë e hershme të fëmijërisë sime kam gjetur dhe një moment kur mbaj në dorë një vegël muzikore. Dhe mua më duket se në ato foto është krejt brezi im. Shkolla ishte aktive ngaqë aktivitetet ishin të përditshme, ku gjeje mundësi për të plotësuar vetveten. Kam qenë një fëmijë që më ka pëlqyer leximi i librave, soditja e natyrës dhe mirësia njerëzore prej nga ka rrjedhur dhe poezia ime e parë. Kam patur një kujtesë dhe mbështetje të mrekullueshme nga prindërit për të plotësuar prirjet e mia në shkollë dhe jashtë saj. Pra kam patur një fëmijëri, e cila më së shumti është jetuar mes moshatarëve të mi”.
RINIA
“ Ndoshta më së pari duhet t’ju shpjegoj se ç’jam sot për të shkuar tek rinia ime, edhe pse ende në ujërat e rinisë “Jetoj”. Pa gabuar aspak, atë Rajmondë që shihni sot është zgjatimi i karakterit tipik dhe interesave të jetës në gjimnaz dhe vrullin rinor. Jam shkolluar në një gjimnaz të njohur për nivelin, interesin e talentet që ka nxjerrë. Gjimnazi “Partizani” ka qenë dhe mbetet shtëpia ime e dytë ku mori rrugën dhe forcoi “krahët” drejtimi im për jetën intelektuale. Do të lidhesha përjetësisht me dashurinë për librat dhe historinë e vendit tim. Dalëngadalë Kosova dhe çështja kombëtare do të shndërrohej në objektin kryesor të jetës sime. Brezi im rinor edhe sot vazhdon të jetë pjesa më aktive e zhvillimit të Shqipërisë dhe ringritjes së Kosovës. Është koha kur kam investuar gjithçka në leximin e librave, në të shkruarit poezi. Është një kohë  që tek unë lënë vrullin, fuqinë për të bërë çfarë quaj të arsyeshme dhe të mundur. Është një kohë për të cilën gjithmonë ndjen rrëmbim sa herë kthen kokën pas”.
FAMILJA
“ Familja ime jam unë dhe tre shokë  të mirë. Pra, janë babai, nëna dhe im vëlla. Më pëlqen t’i quaj shokë, ngaqë kurrë s’i kanë penguar pasionin dhe interesat e mia intelektuale për të bërë këtë që kam bërë deri sot. Nuk besoj se mund të gjendet femër (si unë), më e mbështetur dhe e mirë kuptuar me familjen e vet për të punuar. Jetojmë si qytetarë të thjeshtë duke ruajtur traditën e familjes dibrane prej nga kemi prejardhjen. Me Dibrën vazhdojmë të mbajmë lidhjet e çdokohshme”
ARTI
“Përpiqem të jem vetvetja falë bashkëpunimit që kam me njerëzit e artit dhe kulturës. Kam botuar tetë tituj librash, secili është pjesë e jetës sime. Ç’ka dua të them, lidhjen e fortë që arti përcjell me atë që vjen përherë rastësisht e herë nga vëzhgimi. Kam kërkuar të shkruaj një lirik të thjeshtë, një copë shpirti e hedhur mbi letër. Ndryshe ndodh me poezinë e luftës e cila ka një realitet tjetër, me dhimbjen dhe preludin njerëzor. Atë që  gjendet në poezinë time duhet ta besoni se unë e kam prekur më parë. Libri me poezi “Prelud Pavarësie” është realiteti më i prekshëm i jetës sime. Ka qenë dhe mbetet një poezi që më ka afruar edhe me kronikën, prej nga janë gatuar librat e tjerë që unë i kam shkruar posaçërisht për luftën, qoftë si “Nëpër ditët e dhimbjes dhe lirisë së Kosovës” qoftë tjetri “Ora e Kombit” apo “Tokë Arbnore”. Gjithë kjo masë ndjesish i ka plotësuar me një lëndë të bollshme punën time si publiçiste, gazetare, mandje dhe si një fotografe e luftrave të shqiptarëve në Ballkan”.
E KALUARA
“Besoj se konvencionalisht i thashë ato që mund të krijojnë një vizatim të thjeshtë për të kaluarën time. Ndoshta më mirë se kudo, e kaluara e njerëzve të mi është mishëruar tek unë. Ne kemi qenë një familje besimtarësh në Dibër dhe atdhetarësh të njohur që në kohën e Skendërbeut dhe deri në angazhimet e të parëve të mi tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Dibra këtë kohë ka qenë treva që ka prodhuar lajme dhe kronika të çuditshme. Me këtë lloj edukacioni dhe kuptimësie unë e kam përvetsuar historinë e famijes sime, me çfarë ndjehem mirë ç’kanë bërë ato për ne”.
“NACIONALISTE”
“Po a mund të jetë ndryshe çdo shqiptar që nga 1912 deri më sot? Po amund të jetë ndryshe çdo shqiptar në ngjarjet e viteve “80 në Kosovë? Unë them jo. Shqiptarët kanë shpalosur  gjatë gjithë historisë së tyre dashurinë dhe përkushtimin për trojet, varret, luftëtarët dhe historinë e tyre. S’kanë pushtuar askënd tjetër. Të tjerët kanë bërë ndryshe. Ndoshta është ky formim dhe edukacion që tek unë ka “ndërtuar” këtë marrëdhënie me nacionalitetin e shqiptarëve, i cili në letrat dhe krijimtarinë time kanë një shtrirje të gjërë”.
SHOKËT DHE MIQTË
“Jeta ime ka patur një ritëm marramendës, të shpejtë dhe shumë aktiv. Në vitet “90 – të me shumë intesitet në jetën time hyri lufta në Kosovë dhe çështja Kombëtare. Njerëz me forcë dhe vitalitet të jashtëzakonshëm duket se u bënë pjesë e logjkës dhe e marrëdhënieve të pas viteve “90 – të. Luftëtarët më aktivë të UÇK – së, që shkonin e vinin në Tiranë duket se plotësuan vizionin tim për Kosovën. Ishin djem që nuk pushonin asnjë çast. I gjeje kudo dhe të pakursyer. Në këtë kohë luftëtarët e UÇK – së u bënë njëkohësisht dhe “pronë” e njerëzve publik të Tiranës, të medias dhe krijimtarisë letrare. Dhe për çudi, nëse poezia lirike e shkruar më parë “humbi” brishtësinë, ajo fitoi një cilësi tjetër, më përfaqësuese. Kështu shokët dhe miqtë u bënë të shumtë, falë edhe sinqeritetit njerëzor që e përshkonte atë, sepse njerëzit e lirisë e të luftës janë njerëzit më të sinqertë që kam njohur në jetë”.
BURGU
“Duhen faqe të shumta libri të tregoj ç’është burgu. “Shutka” apo “Idrizova” në Shkup të Maqedonisë. Burgje që të kujtojnë kronikat e nazizmit. Burgu në Maqedoni bashkë me babain tim Bujar Maleçka, ka qenë dhe mbetet një sakrificë për të mbiekzistuar. Ishte një realitet, çdo moment i të cilit të provokonte terrorin psikologjik dhe poshtërimin njerëzor. Atje të survejon çdo gjë. Në ato burgje ndodhet dhe mbahet e izoluar soji i djelmërisë shqiptare. Është dhimbje për shqiptarët sot. Në të ardhmen unë do t’i kushtoj një libër personal burgosjes sime në Maqedoni. Por edhe kështu siç ndodhi, unë besoj se e kam kryer detyrën e gazetarit. Një punë që e kam kryer që nga fillimet e lëvizjes së UÇK – së në Shqipëri – Kosovë – Preshevë – Bujanoc – Metvegjë dhe Maqedoni”.
SHKRIMTARI QË ADHUROJ
“ Shkrimtari i parë që më vjen në mendje gjithmonë është Fishta. Më duket si indentiteti i gjallë i një shqiptari tipik. S’di pse. . .”
LOJTARI QË ADHUROJ
“Në vitet e mija gjimnaziste, shokët e klasës (d.m.th. djemtë), flisni për një futbollist Panajot Pano. Akoma se kam harruar këtë emër, thonin se është sulmues dhe më i miri ndër shqiptarët. Kanë kaluar kohë, por këtë emër e adhuroj edhe pse nuk e njoh futbollin”.
(Postuar nga Rajmonda Maleçka-Tiranë)

Search site

© 2014 All rights reserved.