Dokumentet sekrete të ish Jugusllavisë për spastrimin e Kosovës nga Shqiptarët/03

Agjencioni FLOART-PRESS

          SI E PËRJETUAN KOHËN E LUFTËS SHQIPTARËT NË BEOGRAD GJATË VITIT 1999 ?!


Shqiptarët në Beograd përpos problemeve të cilat i kanë përjetuar edhe më herët (mosbesimi, ofendimet, urrejtjet ndaj tyre). Korriku dhe gushti i vitit 1999 ishin muajt më të vështirë për shqiptarët në Beograd. Disa prej tyre u sulmuan fizikisht, kishte edhe ofendime të rënda. Shumë dyqaneve të shqiptarëve ua thyen xhamat. Një grup i vogël i studentëve shqiptarë të Universitetit të Beogradit në maj të vitit 1999 u burgos me akuzë se ka përgatitur akte terroriste. Gjatë seancës kryesore të të akuzuarit në mënyrë të hollësishme e përshkruan torturën që përjetuan gjatë paraburgimit nga ana e policisë, ku siç thanë ata me forcë kanë qenë të detyruar ta pranojnë kryerjen e veprave penale me të cilat janë rënduar. Pas disa muajsh shumica e tyre janë liruar si të pafajshëm. Me ardhjen e refugjatëve serbë nga Kosova jeta e shqiptarëve u bë edhe më e vështirë. Atëherë një numër i madh i tyre vendosi të shpërngulet nga Beogradi nga frika për të ardhmen. Për një kohë të shkurtër janë larguar rreth 300 familje, përkatësisht rreth 1.500 deri 2000 shqiptarë. Gjatë kohës së luftës kur disa shqiptarë u larguan nga Beogradi banesat e tyre i zunë refugjatët serbë nga Kosova, me justifikim se ne na kanë përndjekur shqiptarët, prandaj ne kemi të drejtë të veprojmë kështu thoshin ata. Me saktësi nuk mund të thuhet sesa është numri i atyre që ua kanë zënë banesat. Në mesin e tyre ishte edhe banesa e Xhavit Shabanit, pensionist i Sigurimti Shtetëror të Serbisë, i cili vite me radhë kishte për detyrë që të kontrollojë se çka bëjnë dhe si veprojnë shqiptarët në Beograd, pastaj banesa e gazetarit të njohur Bahri Canit, të cilit banesa iu kthye pas tri vitesh. Banesën ia kanë zënë edhe aktorit Enver Petrovcit, të cilën ia ka ndarë qyteti i Beogradit, nga e cila më vonë ka hequr dorë. Pushteti fare nuk u ndihmoi shqiptarëve në këto raste. Kur këta kërkonin ndihmë, policia u thoshte duhet t'ia paraqitni ankesën gjykatës.
NJË KOHË BEOGRADI ISHTE QENDËR E STUDIMEVE PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS
Para Luftës së Dytë Botërore një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve të Kosovës studiuan në Beograd. Në Gjimnazin e parë të meshkujve maturoi Mehmed Barjaktereviq (Meto Bajraktari), i cili më parë për shkak të propagimit të komunizmit, u largua nga Medresa e Madhe në Shkup (e quajtur "Medresa e Kuqe"), pastaj u përjashtua nga gjimnazi në Prishtinë, u refuzua nga gjimnazi në Vranjë dhe u ndoq nga gjimnazi në Pejë. Në Universitetitn e Beogradit drejtësinë e studiuan Zejnel Ajdinoviq (Hajdini), Mehmed Barjaktareviq (Meto Bajraktari), Ramiz Sadikoviq (Sadiku), që të tre e kanë humbur jetën si partizanë në Luftën e Dytë Botërore dhe janë shpallur heronj të popullit, Rashiq Dedoviq (Deda), gjithashtu e humbi jetën si partizan, Aziz Sulejmanoviq, luftoi si partizan, Esad Imeroviq (Imeri), Kurtesh Agusheviq (Agushi), Shaip Mustafoviq (Mustafa), njëherë anëtar i PKJ, kurse gjatë Luftës së Dytë Botërore kolaboracionist gjerman, veterinën Esad Mekuloviq (Mekuli), i cili 1933-36, i botoi vjershat shoqërore në revistat përparimtare të atëhershme, agronominë Qamil Ibrahimoviq (Ibrahimi), romanistikën Ferid Peroli, teknikën Hivzi Sulejmanoviq (Sylejmani), pas luftës shkrimtar i njohur, dhe Veli Dediq (Dedi), nga Medvegja në Serbi, i cili më pas në Itali e ka kryer akademinë ushtarake, pas së cilës ka marrë pjesë në Luftën e Spanjës, ku në vitin 1938 është dekoruar me çmimin e lartë "No pasara", e pastaj është bërë hero si komandant i forcave antifashiste në Marsej, etj. Pas Luftës së Dytë Botërore Beogradi një kohë ishte qendër ku studionin shumë shqiptarë të Kosovës. Doktorët e parë të shkencave nga radhët e shqiptarëve të Kosovës dolën nga Universiteti i Beogradit. Idriz Ajeti, disertacionin e mbrojti në vitin 1958 në Fakultetin Filozofik nga lëmi i shkencave filologjike. Në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në vitin 1959, në mënyrë madhështore e ka mbrojtur tezën e doktoraturës Dervish Rozhaja nga lëmi i shkencave biologjike, dhe atëherë ishte doktori më i ri i shkencave në Jugosllavi, po këtë vit në lëmin e veterinës doktoroi Esat Mekuli. Hasan Kaleshi në vitin 1960, në Fakultetin Filozofik e mbrojti tezën e doktoraturës. Mehdi Bardhi dhe Hilmi Agani në vitin 1958 ishin të parët që magjistruan në Fakultetin Filozofik në lëmin e albanologjisë. Ali Hadri 1960 në fushën e historisë, poeti Enver Gjergjeku në vitin 1961 në albanologji, që të gjithë këta më vonë u bënë profesorë të njohur në Universitetin e Prishtinës. Deri në vitin 1989 në Beograd doktoruan afro 100 shqiptarë të Kosovës. Në këtë qytet si shkencëtar filloi të formohet edhe Martin Camaj, emigrant nga Shqipëria, poet lirik, i cili diplomoi gjuhën sllave në Fakultetin Filozofik, por si i papërshtatshëm politikisht, ai në vitin 1957 u detyrua të largohet nga Jugosllavia. Në vitet 50-ta Instituti Etnografik i Akademisë Serbe të Shkencave i angazhoi si bashkëpunëtorë, Mark Krasniqin dhe Kadri Halimin, të cilët në revistat shkencore i botuan disa artikuj me rëndësi për etnologjinë. Akademinë e Arteve Figurative e mbaruan Musli Muliqi, Gjelosh Gjokaj, Ëngjëll Berisha, Bedri Emra, Tahir Emra, Hysni Krasniqi, Sylejman Cara, artet aplikative Matej Rodiqi, Rexhep Ferri dhe Shyqri Nimani, Akademinë e Muzikës Krist Lekaj, Selim Balata, Mark dhe Gjergj Kaçinari, Bajar Berisha, Fahri Beqiri, Bahri Çela, Selim Kabashi etj., kurse Akademinë e teatrit dhe të filmit, aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli, Enver Petrovci, Xhevdet Qorraj, regjistorët Isa Qosja, Selami Taraku, Emin Halili, Artan Skender, dramaturgjinë Ekrem Kryeziu, Petrit Imami, montazhin Mustaf Presheva, i cili me sukses e ka filluar karrierën në Beograd dhe pastaj e ka vazhduar në Turqi.
                            MARTESA TË PËRZIERA MIDIS SHQIPTARËVE DHE SERBËVE
Në Beograd një numër studentësh shqiptarë kanë lidhur martesë me serbe, Anton Çetta (i biri Lazari, jeton në Beograd), Mark Krasniqi (e bija Drita, jeton në Beograd), Hasan Kaleshi (dy djem, Erolin dhe Damirin), Hilmi Thaçi (e bija Valbona), aktorët Bekim Fehmiu (dy djem, Uliksi dhe Hedoni, jetojnë në SHBA) dhe Faruk Begolli, piktori Matej Rodiqi (i biri Kola), Adem Bllaca, ndihmësdrejtor i Bibliotekës Popullore të Beogradit (në fund të viteve të 70-ta ka kaluar në Prishtinë), etj. Motra e historianit Dimitrije Bogdanoviqit, autorit të "Librit për Kosovën", ka qenë e martuar për Martin Camajn, emigrant nga Shqipëria, shkrimtar, i cili e ka studiuar sllavistikën në Beograd dhe me të cilin ka emigruar në Itali në vitin 1956, sepse është urdhruar që ta braktisë Jugosllavinë. (Kanë jetuar në Mynih, ku ka qenë profesor i gjuhës shqipe në universitetin e atjeshëm. E kanë prishur martesën në fund të viteve të shtatëdhjeta). Diplomati Elhami Nimani është martuar me Sonjën, të bijën e mitropolitit të Sremit dhe Karlovcit Rajiqin, e cila ka shkuar në Kosovë në vitin 1945 me divizionin e 46-të LNÇ, në repartin e Agitropit. Disa politikanë shqiptarë, të cilët kanë jetuar në Beograd, janë martuar me serbet e Kosovës në mesin e tyre janë Ali Shukria me Dushankën, (i kanë dy djem Zeqirin dhe Luanin), Sinan Hasani me Stanën (dy fëmijë Ilirin dhe Dijanën), Kol Shiroka (Lekën dhe Jugosllavën), Alush Gashi me Lejlën (tre djem Agimin, Skenderin dhe Fatmirin), diplomati Mesud Besniku me Momirën (vajzën Meritën, e cila ka vdekur herët), Halil Fejzullahu me Danicën, (vajzën Kaqushën, ka qenë punëtore e njohur politike, si dhe djemtë Korçaginin, i cili e ka humbur jetën në fatkeqësi komunikacioni, dhe Petritin hendbollist në ekipin e "Crvena zvezdës" së Beogradit. etj. Një numër shumë i vogël i martesave është bërë midis shqiptareve dhe serbëve. Një nga rastet e rralla është midis Eleonorës, e bija e politikanit Mehmet Hoxhës dhe Boshko Jovanoviqit ( i kanë dy djem).
                  SHQIPTARËT E DALLUAR TË CILËT ISHIN BANOR TË BEOGRADIT
Në mesin e shqiptarëve që jetuan dhe që jetojnë dallohen Mehmet Hoxha, Ismet Shaqiri, Alush Gashi (mbesa e tij Antigona Andonov është gazetare e njohur në RTV B92), Ali Shukria, Sinan Hasani, Kol Shiroka, Hadije dhe Murat Morina (djemtë e tyre Edmondi dhe Petriti janë ekspertë për kompjuterë, tani jetojnë në botën e jashtme), Sokol Nimani, drejtor i Fondit për Rezerva, me bashkëshorten Antigonën, përkthyese dhe spikere (ata me fëmijët, Akilin dhe Zanën u shpërngulen në Kanada kur filluan luftërat në ish-Jugosllavi), ambasadorët Elhami Nimani, Rexhep Xhiha, Xhavit Emini, Gjon Shiroka, Mesud Besniku, Kol Shkreli, (Elhami Nimani pas një ngjarjeje tronditëse, u sulmua fizikisht, vdiq më 1998, në varrimin e të cilit në Beograd u grumbulluan shumë miq për t'ia dhënë lamtumirën e fundit), përkthyesi dhe shkrimtari Sitki Imami, gazetarët Hilmi Thaçi, korrespondent i "Rilindjes" dhe Masar Murtezai, redaktor i emisioneve në gjuhën shqipe të TV Beogradit (68-74), më vonë shef i kabinetit të Fadil Hoxhës dhe Sinan Hasanit, eprorët ushtarakë të lartë Xhemail Bajraktari, i cili bëri vetëvrasje, dhe Imer Dauti, i cili ishte disa vite komisar i Spitalit Ushtarak të Beogradit, e pastaj punoi si historian në Institutin Ushtarak për Histori, doktorët Beqir Saitoviq, kirurg në Spitalin e Traumatologjisë dhe Ortopedisë (vdiq në vitin 1976), dhe Zekeria Elmazi, internist në Entin për sëmundje interne dhe cerebralo-vaskulare, Albert Dushi, drejtor i "Filmske novostit" (Kinoditarit), Sherif Dunica, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Ismet Gjoshi, zbutës i njohur i qenëve dhe autor i librit "Zbutja dhe zbukurimi i qenëve", i cili u ribuotua disa herë, Shefik Kryeziu, pilot i aviacionit ushtarak, i cili u pushua nga puna më 1993, tani biznesmen i suksesshëm, Ilaz Lushta, përfaqësues i metalurgjisë çeke në Beograd, ekspert i dikurshën në Minierën e Trepës dhe përfaqësues i saj në Çekosllovaki, avokati Hysni Bytyqi i cili në Beograd ka ardhur në vitin 1963 ku gjatë punës e ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme, dhe ka diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Beograd, kurse ka doktoruar të drejtën në Tiranë (këtë në vitin 2002 në banesën e vet bashkë me bashkëshorten e kanë sulmuar disa persona të panjohur, për çka ka shkuar për shërim në Londër ku ka vazhduar të jetojë), Ali Taraku, kapiten i ekipit përfaqësues të volejbollit jugosllav dhe trajner i ekipit të femrave "Radniçki" të Beogradit (vdiq në vitin 1980), Petrit Fejzullahu, hendbollist i shkëlqyer në klubin e "Crvena zvezdës" edhe në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, Fahri Musliu, gazetar i cili një kohë ishte korrespodent i "Rilindjes", pastaj i "Bujkut", i të përditshmes "Zëri" të Prishtinës, por në të njëjtën kohë dhe i "Zërit të Amerikës", piktorët Matej Rodiqi dhe Isak Asllani, xhirues televiziv Fatmir Nushi, i cili është mjeshtër i spoteve muzikore, Petrit Imami, profesor i skenarit për film në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd i cili në vitin 2000 e botoi librin "Serbët dhe shqiptarët ndër shekuj" (Samoidat B92), ku i trajtoi marrëdhëniet politike dhe kulturore midis këtyre popujve, aktorët Bekim Fehmiu, Faruk Begolli dhe Enver Petrovci, të cilët arritën karrierë artistike shumë të suksesshme në Beograd.
                                    CILËT SHQIPTARË ISHIN MË TË NJOHUR NË BEOGRAD ?
Padyshim më i njohuri është aktori i famshëm i filmit Bekim Fehmiu. Me rastin e vizitës Beogradit qysh në vitin 1962, shkrimtari i njohur francez, Zhan Pol Sartër e vërejti talentin e Bekimit në shfaqjen e dramës së tij "Pengjet nga Altona" edhe pse ai pati një rol shumë të vogël, i cili zgjati vetëm disa minuta. Famën botërore e arriti në filmin jugosllav "Mbledhësit e puplave" i cili në vitin 1967 ka bërë bujë në festivalin e filmit në Kanë. Në Beograd e botoi pjesën e parë të memoareve të veta "Shkëlqimi dhe tmerri", ku në mënyrë tërheqëse e përshkruan fëmijërinë e vet në Prizren. Gjatë viteve të 80-ta një nga këngëtaret më të popullarizuara të pop-muzikës ishte Zana Nimani. Edhe pse nuk jeton më në Beograd këngët e saj edhe sot e kësaj dite dëgjohen me të madhe.
                                    A KA PASUR SHOQATA TË SHQIPTARËVE NË BEOGRAD ?
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore është formuar një shoqatë e shqiptarëve e cila ka vepruar një kohë shumë të shkurtër. Nga mesi i nëntorit të vitit 1957 në Universitetin e Beogradit u themelua Shoqata letrare "Përpjekja", të cilën e përbënin studentët shqiptarë të cilët kishin ardhur për të studiuar. Ajo së shpejti u bë shoqatë letrare-muzikore dhe gjatë ekzistimit të saj zhvilloi aktivitete mjaft të begatshme. Iu ndalua puna në vitin 1984. Në maj të vitit 1990 një grup i shqiptarëve biseduan për mundësinë e formimit të një shoqate të shqiptarëve, ku nismëtarë ishin korrespodenti i atëhershëm i "Rilindjes" Fahri Musliu dhe Hysni Bytyqi, avokat në Beograd, por shpejt u pa se një gjë e tillë në atë kohë ishte e pamundur. Ajo shoqatë është dashur të quhet "Nënë Tereza".
                          DISA RRUGË NË BEOGRAD I MORËN EMRAT SIPAS SHQIPTARËVE
Skender-begova ulica (Rruga e Skënderbeut) gjendet në pjesën e vjetër të Beogradit, në Dorqol, dhe quhet sipas heroit më të madh të kombit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeut që nga viti 1896. Një nga rrugët më të vjetra në qendër të Beogradit "Makedonska ulica", prej vitit 1872 deri 1896 është quajtur "Kastriotova ulica" (Rruga e Kastriotit), në kohën kur është menduar se ai ka qenë me origjinë serbe. Ulica Majke Angeline (Rruga e Nënës Angjelinë) e mban emrin e bijës së Arianitit e cila është e martuar në Shkodër më 1460 për princin serb Stefanin e Verbër. Ai ishte i biri i Gjurgj Brankoviqit nga Smedereva, të cilit për dënim i ka nxjerrë sytë në vitin 1441 dhëndri i tij Sulltan Murati II. Angjelina u është përkushtuar të varfërve dhe të sëmurëve, për çka në Srem e kanë quajtur "Nënë Angjelina". Në shenjë përkujtese për të, Kisha Ortodokse Serbe e kremton 12 gushtin si Ditë të Shën Angjelinës. Në fillim të shek. XVII kulti i saj është përhapur edhe në Rusi. Prej vitit 1940 në Beograd një rrugë në komunën Zvezdara quhet sipas saj. Kondina ulica (Rruga e Kondës) quhet sipas një shqiptari ortodoks nga Shqipëria Jugore, i cili ka treguar trimëri të madhe në vitin 1806 kur Beogradi është çliruar nga turqit. Kjo rrugë në qendër të Beogradit e mban emrin e tij prej vitit 1872. Esad-pašina ulica (Rruga e Esad Pashës) është emërtuar me emrin e këtij shqiptari në shenjë mirënjohjeje, pasi i ka ndihmuar ushtrisë serbëve gjatë tërheqjes përmes Shqipërisë. Gjenerali serb, Dragutin Milutinoviq ka thënë: "Sikur të mos e kishim pasur Esadin si mik, ne do të kalonim edhe më keq në vitin 1915 me rastin e tërheqjes". Pikërisht për shkak të kësaj një rrugë në komunën e Vozhdovcit e mban emrin e tij prej viti 1935. Ulica Sadika Ramiza (Rruga e Ramiz Sadikut) e ka marrë emrin sipas këtij revolucionari dhe komunisti nga Kosova, hero i popullit në Luftën e Dytë Botërore. Rruga gjendet në Beogradin e Ri, afër bregut të lumit Sava, në lagjen e dikurshme të punëtorëve, sot jo larg hoteleve më luksoze në Beograd "Hajatit" dhe "Interkontinentalit". Skadarska ulica (Rruga e Shkodrës) konsiderohet si një nga rrugët më atraktive në Beograd, në të cilën gjenden disa kafene të vjetra shumë të vizituara, dhe këtë emër e ka marrë qysh në vitin 1872. Kjo rrugë dhe pjesa e qytetit është e njohur edhe me emrin Skadarlija. Me të njëjtin emër quhet edhe një rrugë e vogël në Zemun. Albanska ulica (Rruga e Shqipërisë) gjendet në një nga komunat më të vjetra të Beogradit, në Palilulë. Këtë emër e ka marrë në vitin 1927, dhe e ka pasur deri në vitin 1972, kur është ndryshuar në "Ulica Albanske spomenice" (Rruga e Përkujtimores së Shqipërisë). Emrin e ka marrë sipas asaj që kanë mbajtur mend ushtarët serbë të cilët janë tërhequr në kushte shumë të rënda përmes Shqipërisë në vitin 1915. Në komunën e Zemunit, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu, një rrugë poashtu është quajtur Albanska ulica, dhe këtë emër edhe sot e kësaj dite e mban. Dracka ulica (Rruga e Durrësit) gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, në Dorqol, dhe këtë emër e ka marrë në vitin 1930 sepse ai qytet në Shqipëri u ka mbetur në kujtesë të bukur ushtarëve serbë gjatë viteve 1912-1913. Lješka ulica (Rruga e Lezhës), e cila gjendet në komunën e Çukaricës, e ka marrë këtë emër në vitin 1930 për shkak të kujtimeve të cilat i kanë pasur ushtarët e Ushtrisë serbe në vitin 1912, kur më 18 nëntor e kanë çliruar këtë qytet nga turqit, dhe më 1915 kur në rrugët e ngushta të këtij qyteti, në rrugën në drejtim të Durrësit, kanë kaluar shumë ushtarë të rraskapitur serbë dhe civilë duke u tërhequr para ushtrisë austriake. Palata Albanija (Pallati i Shqipërisë) gjendet në vendin ku para Luftës së Parë Botërore, në qendër të Beogradit, ka qenë kafeneja "Albanija", emrin të cilin pronari ia ka dhënë për nderë të luftëtarëve serbë të cilët në vitin 1912-1913 kanë luftuar në Shqipëri. Është ndërtuar në vitin 1939 dhe ka qenë ndërtesa më e lartë në atë kohë në Jugosllavi, të cilën e kanë quajtur "Pallati i Shqipërisë", sipas kafenesë në fjalë, dhe me këtë emër beogradasit e quajnë edhe sot e kësaj dite,shkruan në mes tjerash gazetarja nga Beogradi Naile Mala-Imami.

Search site

© 2014 All rights reserved.