Doli nga shtypi libri më i ri i Bedri Tahirit PËR FLAMURIN KUQEZI

                   

 PËR FLAMURIN KUQEZI

 

Këto ditë nё botim të SMS, biblioteka Publicistika, doli nё shitje libri më i ri, i njëzeti me radhë, i Bedri Tahirit “Për Flamurin kuqezi”, i cili përmban kumtesa, recensione, komente, letra dhe fjalime të ndryshme.

 

Brenda kopërtinave të këtij libri, lexuesi kureshtar do të gjejë përditshmërinë tonë me sfidat dhe prapësitë e saj që nuk na u shqitën gjatë gjithë historisë. Shkrimtari, publicist dhe veprimtari i palodhur i çështjes kombëtare Bedri Tahiri me një guxim të paparë intelektual u kundërvëhet dukurive negative të shoqërisë sonë, që herë- herë, sikur e humb torruan dhe, gati pavetëdijshëm, bie në situata të palakmueshme, duke rënë pre e orekseve të sëmura të prijësve të vet…Pena e tij nuk kursen askënd, as edhe të parët e vendit, kua ata shkojnë larg e larg dhe cenojnë historinë tonë, duke prekur aty ku nuk duhet, siç janë Flamuri dhe heronjtë. Kështu, ta zëmë, kur i hiqet emri i heroit kombëtar Azem Galica nga shkolla e Kërpimehit, ai e sulmon pamëshirshëm dhe me plot të drejtë edhe Enver Hoxhajn edhe Fatmir Sejdiun për një veprim të tillë të pamatur e të shëmtuar… Sa i përkëtë Famurit kombëtar, mjafton të lexohet fragmenti në fund të librit ku shkruan: “Flamuri! Një emër krenarie, që në vetvete ngërthen tërë qenien e kombit. Aty sintetizohen për mrekulli: bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e mbi të gjitha sakrificat tona shekullore për liri e pavarësi.

Dhe, përherë i pandryshuar, kuqezi.

Ngjyra që flasin shumë. Toka mëmë e larë me gjak.

Flamuri ynë histori në vete. Pas atij të Danimarkës, më i vjetri në Evropë.

Sa bukur!

Sa krenari!

Sa madhështi!

Mbi pesë shekuj jetë e rezistencë. Për herë të parë valoi në Krujën legjendare. Ishte 28 Nëntori 1443.

Dhe, më në fund, ditë e bardhë agoi. 28 Nëntor 1912. Vlora kishte festë, ajo do bëhej nuse dhe tundej e hidhej nga gëzimi. Po hynte në histori për të ngelur legjendë.

Sa e sa gjak u derdh për këtë të shenjtin e të shtrenjtin Flamur!

Dhe, fare në fund, edhe këtyre trojeve u buzëqeshi fati. Më 28 Nëntor 1955, në Prekaz ngjau mrekullia, u lind Adem Jashari, njeriu që do ta ndërrojë rrjedhën e historisë.

Dhe, kështu, me këtë Flamur u mishëruam dhe u bëmë NJË Po me këtë Flamur fituam edhe LIRINË, të cilën sot po e gëzojmë!!!

Kryekomandanti ynë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili më shumë së askush tjetër u identifikua me të, po me këtë Flamur e nisi dhe e mbrojti dinjitetin tonë kombëtar”.

Të dhënat për autorin

Bedri Tahiri u lind në Galicë të Drenicës më 1956. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980 ligjëron lëndën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Krahas punës edukativo-arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, merret edhe me artin letrar. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Me shkrime ka zënë të merret qysh herët. Shkrimet e tij letrare- historike- dokumentare- publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër Simpoziume e Sesione shkencore me tema hulumtuese shkencore. Gjatë tërë kohës së luftës sonë çlirimtare qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime dhe ditar lufte.

Deri sot, pa i përmendur librat si bashkautorë, ka botuar këta libra:

Azem Bejtë Galica, 1995

Përmendorja që mungon, 1997

Hys Popova- një yll në Yllësinë shqiptare, 1998

Adem Jashari- legjendë e legjendave (u ribotua nëntë herë), 1999

Përjetësia, 2000

Agu i lirisë (e ribotuar dy herë), 2001

Drenica- një shekull trimëire (u ribotua tri herë), 2002

Përtëritja, 2002

Flakadanët e lirisë1, 2004

Drejtësia në sprovë, 2005

Azem Bejtë Galica (botimi i dytë i plotësuar), 2005

Flakadanët e lirisë 2, 2oo6

Nga Shqipëria në Shqipëri, 2oo7,

Flakadanët e lirisë 3, 2007 dhe

Adem Jashari- legjendë e legjendave (botim i nëntë i plotësuar), 2008,

Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, 2008,

Abdyl Krasniqi- frymëzues brezash, 2009,

Diferencimi- Tregime, 2010.

Gjeografia e veprave të Bedri Tahirit është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Edhe idetë e veprave bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në bashkimin tonë kombëtar.

Ky krijues i palodhur nuk pushon për asnjë çast. Pena e tij e mprehtë nuk i lëshon lehtë as dukuritë negative të aktualitetit tonë shoqëror. I ka të gatshme për botim edhe disa libra në dorëshkrim:

Fehmi e Xhevë Lladrovci- të pandarë edhe në përjetësi,

Përmendorja që mungon (botim i dytë i plotësuar),

Përshtypje nga Franca,

Vesel Galica -mentar dhe luftëtar i shquar

Ditë më parë doli nga shtypi libri “Opusi krijues i Bedri Tahirit- lapidar për dëshmorët e lirisë”, përgatitur nga Zenun Gjocaj e Xhavit Aliu.

Ky është libri i tij i njëzet.

Postuar nga Prof. B.Tahiri

 

Search site

© 2014 All rights reserved.