Fatos Aliu - SHQIPTARËT E LUGINËS ME IDENTITET SERB !

SHQIPTARËT E LUGINËS ME IDENTITET SERB !

Pasaportat e Serbisë shlyejnë identitetin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës - Kosovë Lindore, dhe askush nuk reagon, as në Prishtinë, as në Tiranë, as në Bruksel, Strasburg, e gjetiu në instanca ndërkombëtare, as verbalisht e lere më të ndërmarrë veprime konkrete për ta alarmuar komprometimin dhe shkeljen brutale që i bën pushteti i Beogradit identitetit të shqiptarëve!

 

Çudi, si mund të tolerohet e heshtet kur në pasaportat që u lëshohen shqiptarëve u shkruhet identiteti serb?! Për çfarë atëherë janë partitë politike shqiptare, apo institucionet lokale me të cilat udhëheqin, nëse jo minimalisht për të reaguar, insistuar, protestuar e lobuar në të gjitha anët e qendrat e vendosjes, për shkeljet brutale të identitetit nacional të shqiptarëve, duke i cilësuar me kombësi “srpsko”, siç shkruan në pasaportat biometrike të Serbisë? Të paktën këtë nuk e ka bërë as Mali i Zi , as Maqedonia! Kështu, këtu, në Luginën shqiptare, të satanizuar nga politikat satanike të Serbisë, çdo shqiptar që udhëton jashtë, me këto pasaporta, ka identitet serb, sepse ashtu qëndron “nacionaliteti – shtetësia” në dokumentet cirillike të Serbisë - pra janë shtetas me nacinalitet – srpsko! Nuk është dëgjuar zëri as veprimi i politikave tona për këtë, as ai i përfaqësive a institucioneve ndërkombëtare, të cilat kanë ratifikuar konventa për mbrojtjen e minoriteteve, të cilat po i shkel Serbia me “katër këmbë”, përderisa i është mundësuar liberalizimi i vizave, po të njejtës bishë sllavo-ballkanase me katër brirë.  Nga ana tjetër, Shteti Shqiptar – Shqipëria hesht kundrejt kësaj shkelje, ndërkaq vetë ka formuar Komitetin e veçantë shtetëror për minoritete (shiko http://www.kshm.gov.al/v1/ dhe i njeh të gjitha minoritetet, serbe, malazeze, vllahe, rome, greke, etj etj.., nëse mund të gjendet ndonjë tjetër - plus - minus një. Paradoks sui generis! - që nuk e lejon asnjë shtet i botës, që ka pjesë të tokave e popullit të vet nën sundimin e një shteti tjetër, aq më parë, brenda një shteti armik shekullor, siç është Serbia, e cila bile synon e formon këshilla nacionale për minoritete, sipas modelit të vet hegjemonist dhe diskriminues - kundërshqiptar, për ta kontrolluar sa ma mirë popullatën tonë atje, e cila në fakt nuk është minoritet, por ashtu quhet - artificialisht, duke ja ndarë tokën shqiptare Kosovës shqiptare, për ta shndërruar në minoritet popullatën shqiptare e cila jeton në tokë të vet, dhe për ta shkrirë edhe si entitet (si pjesë e atdheut shqiptar), edhe si etnitet (si pjesë e kombit shqiptar). Por, të nisemi nga vetja: çfarë po bëjmë vetë? Megjithëse Serbia nuk ka arritur që me dorën e shqiptarëve ta legjitimojë “këshillin nacional” sipas formulës së vet diskriminuese kontrolluese, tani shtrohet si urgjente, si domosdoshmëri dhe përgjegjësi bashkimi i subjekteve të veçanta politike përmes një organi të përbashkët politik nacional, i cili i mungon kësaj treve shqiptare. Përndryshe, vetëm deklarimet a mosdeklarimet, bojkoti apo mospajtimi, nuk do ta arsyetojë ekzistencën e kaq shumë partive dhe diversitetin pluralist brenda një territori të ngushtë e të dominuar nga politika pushtuese e shtypëse, në fazën e zhvillimeve të reja politike dhe integruese nëpër të cilat po kalojmë, sidomos me skenarët e pazarët reja me toka shqiptare, apo me autonominë e synuar për serbët në Veri të Kosovës, duke e rritur gjithnjë pazarin e Serbisë, me synime që as të mos e vejnë fare në agjendë trevën e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.  Prandaj, vetëm politikisht të unifikuar e te bashkuar rreth qëllimit kombëtar dhe në përcaktimet e njohura të popullit, qoftë historikisht, qoftë me referendum, si ai i marsit 1992, ka kuptim edhe diversiteti partiak, shumësia e ideve dhe veprimeve, mundësohet pozicionimi i fuqishëm dhe efektiv përballë politikave hegjemoniste të Serbisë, dhe politikave përkatëse ndërkombëtare. Përderisa secili subjekt të ketë lëvizje më vete, si e kur ti teket, vetëm sa dobësohet uniteti dhe qëllimi kombëtar, ndërsa deklarimet shndërrohen në demagogji, nuk përfiton kombi dhe popullit, por vetëm individët a grupet miope lokale të pushtetit, që dashje pa dashje, mund t’i shërbejnë synimeve strategjike dhe politikave përçaj e sundo të shovinizmit serb.

                                                                                                              Nga Fatos Aliu

Search site

© 2014 All rights reserved.