Promovimi i një libri të veçantë

Promovimi i një libri të veçantë

 

                 Promovimi i një libri të veçantë

           (Mendime për librin “Prekazi,brezni trimash” të regjizorit  kosovar Dibran Fylli)
 
Një promovim   i veçantë  u bë në Tiranë në Ministrinë e kulturës , ditën që kalendari  shënonte tre shifra “12”, pra 12. 12.2012. Promovohej  libri i regjizorit  prishtinas Dibran Fylli,  i titulluar “Prekazi, brezni trimash”  kushtuar tokës së trimave , Drenicës dhe trimave që ajo mbarti ndër shekuj për të ardhur tek Adem Jashari i papërsëritshëm.
    Libri i vogël me një përmbajtje të madhe, ndërtohet me okielon madhore “Ai është gjallë” që i  dedikohet trimit të Kosovës , Adem Jashari. E faqet e librit ,me paraqitjen në formën e pergameneve japin  konteksin e pavdekshmërisë e të lirisë së shqiptarëve, ashtu si pergamenët që kanë ekzistuar dhe dalin ne dritë mbas kohe robërie  dhe   emetojnë   të  vërtetat e pamohueshme të historisë.
  Libri i autorit  Dibran Fylli është i veçantë jo se është një bestseller, as dhe  një grumbullim “skupesh  “ gazetareskë. E veçanta e këtij libri  është thjeshtësia e paraqitjes për mbarë lexuesit e një kronologjie  të trimërisë kosovare, kronologji e shkruar me autoritetin e nje shkrimtari dhe historiani te mirfilltë siç na e ka përgatitur me kujdes  regjizori  Dibran Fylli.
   Si askundi tjetër në librin e Dibranit gjejmë jetën e dokumentuar të Drenicës si flamurtare të lirisë, kullat e lashta dhe heroike të saj e ku gjendet Prekazi martir, vendi  i qëndresës së paparë kosovare.E përsëri  brenda Prekazit vinë heronjtë Tahir Meta,Jasharajt e tempullit të lirisë që  autori Dibran Fylli i jep njeri pas tjetrit si Shaban Jashari,Osman Geci, Hamëz Jashari, Adem Jashari.
  Kullat këto bashkë luftëtare të heronjve të Prekazit, i gjejmë në këtë libër të gjalla, obelisqe  në teatrin e luftimeve të pabarabarta  me okupatorin e vazhdueshëm. Kullat  luftarake gjallojnë sot në Kompleksin Memorial të Prekazit, e dhe pak metra me tej ngadhnjen dhe  kulla e Tahir Mehës.
Ja si e  jep Dibran Fylli portretin e Drenicës në hapjen e librit “Prekazi, brezni trimash”:
   “Kjo trevë kreshnikësh në antikë njihej me emrin Klapotnik.Kur përmendet ky emër, nuk mund të mos kujtohet historia e lavdishme kombëtare dhe emri Drenicë.Kjo trevë gjithmonë ka qenë, është dhe do të mbetet tmerr  për armikun.Eshtë fole trimash që u bë sinonim i rezistencës dhe i qëndresës mbarëshqiptare për liri dhe pavarësi kombëtare.”
  E autori    përmend heronjtë e kësaj treve që nga  Milesh Nikollë Kopiliçi, e tek Ahmet Delia, Azem Bejta, Shaban Palluzha, Tahir Meha e deri te Azem Galica i cili shoqërohet në libër me betimin e tij të famshëm.
  E  veçanta  tjetër e librit ”Prekazi,brezni trimash” qëndron në  faktin se autori  ka qenë vetë luftëtar aktiv i UÇK-së dhe njëkohësisht dhe një dëshmitar jo vetëm  visual për atë kohë , por sot ai ka në arshivën e tij mbi 200 fotografi  dhe mbi qindra minuta xhirime të popullatës civile gjatë kohës së luftës për çlirimin e Kosovës. Eshtë kjo veçanti që këtë libër të regjizorit Dibran Fylli ta shikosh në disa pamje kaleidosopike.Prania e fotografive të shumta dhe tekstet lakonikë, të shkruara  me modesti  bëjnë që libri të jetë një hymn për kompozitorin, një etyd me bojra vaji për piktorin dhe një sinops romani për shkrimtarin.
   Edhe historianët ,ndoshta do ta kenë më  lehtë e po aq më lehtë do ta kenë dhe analistët e përditshëm të mediave televizive dhe të shkruara kur duhet folur e shkruar për vendin që veç trima për atdheun ka nxjerrë.
   Në librin e tij “Konceptualiteti i lirisë” shkrimtari Moikom  Zeqo duke folur për luftën për çlirimin e Kosovës shkruan:
     “Instrumenti  i rezistencës së armatosur të UÇK-së, me një kontribut të mrekullueshëm dhe të paharruar, që ringjalli një moral të ri, të pashembullt  dhe të ndërhyrjes së NATO-s (edhe kjo një nga “unicum-et” më të çuditshme të historisë moderne të Europës) do të plotësonte  instrumentin e gandizmit, duke bërë kështu një të tërë  krejt të domosdoshme, që përbën sekretin e suksesit të madh.”
     Lufta e popullit kosovar dhe trimëritë e spikatura të Prekazit, Drenicës dhe shumë vendeve të tjera në tokën   kosovare duhet  pasqyruar vazhdimisht sepse  jo vetëm nuk duhet harruar por  duhet kombinuar me aktiven e ditëve të sotme. E duke qenë se politika është njëdomosdoshmëri në kohët tona, pikërisht ajo historia e luftëtarëve duhet të jetë e fiksuar në celuloidin e trurit të çdo njerit.
     Sipas studjueses gjermane Hanah Arend , politika është sferë e lirisë, në të cilin liria është realitet i gjallë, jo abstarksion.Kështu kuptojmë se liria e njeriut, mund të realizohet  në jetën publike , përkatësisht në politikë , duke u bërë kështu  politika e vetme qënie e autencitetit të lirisë njerëzore.  
   Janë këto motive që hapen  tek lexon librin “Prekazi, brezni trimash” , tek kupton se kemi të bëjmë  me një doracak të lirisë e se ideja e përdorimit të lirisë që trimat dhuruan , duhet kuptuar shumë më mirë.
    Në librin  Dibran  Fyllit gjejmë këtë pasazh sinjifikativ: 
    “…Europa ndau tokat shqiptare.Populli shqiptar u detyrua që të vazhdojë organizimin e rezistencës së armatosur  dhe të dalë në mbrojtje të tokave të veta. Nga ana tjetër , pushtuesit barbarë  sllavë, të yshtur nga pasionet e tyre të ulta eksapansioniste, kryen masakra, terrorizuan popullatën shqiptare, me qëllim  që të shuajnë rezistencën e tyre dhe t’i shpërngulin ata, për të bërë më vonë edhe spastrime etnike, me qëllim  të ndryshimit  të strukturës demografike të Kosovës. Prapa kësaj fshihej qëllimi   i  pushtetit serb , që më vonë të sillnin kolonë serbë dhe malazezë në Kosovë, gjë e cila ka vazhduar në forma të ndryshme, deri në fund të shekullit XX!”
   Këto dhe shumë pjesë të tjera  që trajtojnë me dokumenta të gjitha burimet e trimërisë drenicare ku Prekazi është maja e heroizmit, që përjetësohet me Kompleksin memorial “Adem Jashari”   e  ku sipas librit që po diskutojmë është  vizituar nga 9 milion njerëz  për një periudhë 13 vjeçare nga të gjitha trojet etnike, duke përfshirë edhe diasporën dhe Kanadanë e largët, si dhe vizitorë të huaj nga rajoni dhe bota.
   E pasi flet për këtë Kompleks ku i falemi lirisë, autori  Dibran Fylli na jep dhe çmimin e lirisë, një statistikë të domosdoshme ,shifrat  e së cilës  flasin më shumë se çdo koment:
    “Lufta e fundit në  Kosovë solli vrasjen e mbi 13000 civilëve, djegjen e rreth 1000 vendbanimeve, shkatĽrrimin e tërësishĽm të mbi 104000 shtëpive  dhe të mbi 214000 të tjerave  të shkatërruara e të plaçkitura, mbi 2000 dëshmorë të UÇK-së , dëbimi me dhunë i rreth 1000000 qytetarëve nga shtëpitë e tyre si dhe humbje të tjera të ekonomive familjare e kombëtare…”
    Si asnjëherë tjetër, ky libër që flet për fitimin e lirisë kosovare përveç se është botuar në gjuhën shqipe ,gjithashtu është botuar në gjuhët angleze, gjermane, turke, italiane, franceze dhe kroate. Eshtë një veprim i zgjuar dhe i domosdoshëm për njohjen e Prekazit, trimave të saj,luftës së popullit kosovar dhe lirisë së tij të merituar.
    Libri i regjizorit Dibran Fylli bëhet  kështu pjesë e Kompleksit “Adem Jashari”, një shoqërues i urtë për të treguar thjeshtë ato që kanë ndodhur ,njerzit që jetuan dhe luftuan,  dëshmorët   e lirisë ,kullat që armiqtë i rrënuan, por që trimat i ringritën si fenikse të shumtë në tokat e Drenicës.
   Një libër i vogël, por me vlera të mëdha !
    
Fatmir Minguli
 
 
  
 
 

 

Search site

© 2014 All rights reserved.