ROLI I SË MAJTËS NË MODERNIZIMIN E POLITIKËS

Postuar nga Haki MORINA

 ROLI I SË MAJTËS NË MODERNIZIMIN E POLITIKËS


Të pranosh rekomandimet e më të diturve, më të përparuarve e më të zhvilluarve se si ndërtohet një shtet, nuk është nënshtrim ose përulje, por është guxim politik e patriotik, është modesti dhe aftësi për të kuptuar, për të njohur vetveten, që është parakusht për nisje të sigurta rrugëdaljesh efektive. Duhet të mësojmë nga historia jonë me zbrazëtira të mëdha, me vakume, me heshtje, me mospërpjekje që të veprojmë ndryshe, të mësojmë nga ato pjesë të tjera të historisë sonë që na bëjnë të hidhemi nëpër beteja të përhershme përparimi e zhvillimi. Konceptet dhe orientimet politike në Kosovë janë një fushë, e cila i lejohet çdokujt të luajë e të teorizojë (etj.), mirëpo asnjëra palë nuk do që të identifikohet qartë dhe definitivisht. Absurdi tjetër i cili ndodh në vendin tonë, për botën është një tjetër arsye për ta diskutuar. Në Kosovë kemi një papunësi e cila prin në përqindje, madje është edhe para vendeve gati më të varfra, pra një varfëri e cila u bën karshillëk edhe vendeve afrikane. Për botën perëndimore, sidomos te vendet që kanë kohë, që e kanë kaluar inferioritetin e rreshtimit politik, vendi ynë prezantohet si një strukturë politike, me një flirtim interesant të një qendre të djathtë dhe të një të djathte gati ekstreme. Kurse, në anën tjetër, e kemi një të majtë që më me dëshirë do të qëndronte në qendër ose e paprononcuar ideologjiksht për shkaqe etnosociale. Kjo situatë i jep një pamje kaotike spektrit partiak, i cili në fund rezulton me një imazh negativ përballë botës në kuptimin e aftësisë demokracibërëse në Kosovë.
Është edukimi politik etnosocial, qëllimi për të cilin e majta e vendit tonë duhet të bëjë më shumë për t’u vënë në pah dhe për ta informuar atë shtresë të cilën duhet ta përfaqësojë. PSK-ja po përpiqet që krahas strategjive të tjera zhvillimore, t’i vërë edhe konceptet politike të së majtës fuqishëm përballë qytetarit të Kosovës, i cili fatkeqësisht dhe pa fajin e tij, deri tani ka qenë i manipuluar dhe i dezinformuar në mënyrë politikisht bizare nga e djathta primitive e këtij vendi, prapa së cilës qëndrojnë kompani multimilionëshe, që veprojnë për të mbrojtur interesat e magnateve mafioze ekonomike, në vendin me varfërinë më të madhe në Evropë.
PSK-ja në hulumtimin e së bukurës në politikë është finesa në rritje e një profilizimi të vërtetë politik, është një përpjekje e parë dhe fillestare e një “vetënjohjeje magjike” në Kosovë. Politika e majtë e saj është, siç e thamë më lart, një nismë, dhe kjo nismë, e cila është në rritje e sipër, mund ta luajë rolin e balancës politike dhe të ndikojë në politikën e përgjithshme. Pra, edhe në reformimin, profilizimin e qartë ose modernizimin e saj, që do të shënonte një epokë të re politike në Kosovë. Kosova do të dilte nga politika fillestare në të cilën fatkeqësisht është duke notuar akoma. Balancën e politikës, pra, këtë rol, e majta në Kosovë duhet ta ketë edhe në ruajtjen e interesit të politikave të majta të cilat zbatohen në përgjithësi. Si një e majtë e fuqishme, ajo, përpara se të bëhet politike, duhet ta mbrojë punëtorin përballë ligjeve që e diskriminojnë atë. Vetëm në këtë mënyrë, ajo do të paraqesë një subjekt, i cili mbron në rend të parë interesat e qytetarëve dhe i cili çdo qëllim e kanalizon nga realizimi i këtyre interesave dhe ngritja e mëtutjeshme e vetëdijes intelektuale e politike dhe zhvillimi i kushteve jetësore. Ajo duhet dhe do të jetë sa më afër shtresave shoqërore, për ta prezantuar denjësisht atë që është: socialiste, rrjedhimisht krah i fuqishëm i shtresave sociale në tërësi.


(Autori është sekretar i përgjithshëm i PSK-së)

 

Search site

© 2014 All rights reserved.