SHIL Dega në Klinë - Njoftim

16/06/2011 14:10
Organizata e Veteranëve, Shoqata e Invalidëve dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Luftës të UÇK-së dega në Klinë, në mbledhjen e përbashkët, të mbajtur më 13 qershor 2011, lëshon këtë:

NJOFTIM PËR SHTYP

Me të cilin njoftojmë opinionin dhe udhëheqjen komunale të Komunës se Klinës se do t’i ngrijmë të gjitha marrëdhëniet, komunikimet e bashkëpunimin me kryetarin aktual të komunës z. Sokol Bashota, deri atëherë kur këtij të fundit do t’i bie ndër mend se në Komunën që ai udhëheq ka njerëz që e kanë dhënë jetën për këtë ditë, i kanë lënë gjymtyrët e veta për lirinë e Kosovës e që sot ata jetojnë pa përkujdesje institucionale, shumica prej tyre ballafaqohen me skamje të skajshme, të sëmurë e pa përkujdesje shëndetësore, pa ligj që do t’i mbronte të drejtat e tyre. Të gjitha këto do t’i përballonim edhe kësaj radhe, edhe pse me dhembje të madhe, sikur të mos ishim të anashkaluar përbuzshëm dhe, në një mënyrë, të injoruar nga vetë “kryetari”, si për Festivalin “I këndojmë Lirisë”, si për ditën e çlirimit të Klinës, që është në prag. Ai, as që na ka ftuar ne, si Organizata, në mbledhjet për këto manifestime por, edhe këtë vit sikurse edhe viteve të tjera, merret, akordohet e përqafohet me individë të caktuar që flasin në emër tonin e veprojnë me përkrahje të tij në sy të opinionit, derisa ne e dimë se ata individë këtë e bëjnë për një pagesë modeste, janë në shërbim të tij për t’ia mbuluar shpenzimet e majme që fiton ai dhe vartësit e tij, në këtë rast, kinse për ditën e çlirimit të Klinës. Ne ia bëjmë me dije edhe “kryetarit”, edhe atyre që shiten për pak para dhe flasin në emër të Organizatave të dala nga Lufta se kjo festë nuk u takon vetëm atyre por i takon gjithë popullit, na takon edhe neve që luftuam (ndoshta jo sa ai, sepse ai ishte “njeri i madh” dhe ishte i zënë me udhëtime zyrtare në Tiranë e gjetiu por, duhet të mos e harrojë atë (si “njeri i madh” që ishte) se edhe ne ishim nëpër istikame lufte dhe nuk i lëshonim ato. Vërtetë, ky “kryetar” e ka tepëruar kudo, e ka tepëruar edhe në Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë” që mbahet për nder të datëlindjes së Komandantit Mujë Krasniqi. E, për këto festa tonat ai “kryetar” thërret e sorollatet me kryetarë e politikanë nga çdo skaj i botës, kurse nuk i thërret e as i respekton bashkëluftëtarët e Komandant KAPUÇIT, madje, as Familjet e Dëshmorëve nuk respektohen qysh e si e meritojnë ato. Vërtetë, ai “njeri” është shndërruar në kryetar komedishë: Vetë drejtor, vetë sekretar, vetë arkëtar, vetë e bën hapjen zyrtare, vetë e mbyll çdo manifestim, vetë u dikton të tjerëve se çfarë duhet të flasin për të dhe i cakton e zgjedh njerëzit që duhet të flasin për të, vetë ... Vërtetë, kjo komunë e udhëhequr nga ky “kryetar” është privatizuar e tëra dhe në këtë pikëpamje e meriton vendin e parë!?!...(!)
Ne do të festojmë më 18 Qershor por, jo me ata që luajnë dhe keqpërdorin djersën e popullit dhe luftën tonë. Jo me ata që pas lufte na injorojnë e mendojnë se janë zotat tanë. Kush i ka zgjedhur dhe kush i ka çitë nëpër pozita për të na e bërë kështu, këta “njerëz të mëdhenj”?...

Hashim HALITI
Kryetar i SHIL të UÇK-së
Dega në Klinë

Back

Search site

© 2014 All rights reserved.