10 VJET PO I KËNDOHET LIRISË ME MUJËN E PËR MUJËN

 Historiku në 10 Vjetorin e Festivalit Folklorik “I KËNDOJMË LIRISË”
        
 
10 VJET PO I KËNDOHET LIRISË ME MUJËN E PËR MUJËN
 

Të kthehem para 10 viteve, që ta kujtoj themelimin e FF “I këndojmë lirisë”, nuk mund të mos e kthej kujtesën edhe më tej, shumë më përpara. Nuk mund të mos e kujtoj paraqitjen artistike dhe angazhimin maksimal të Mujë Krasniqit, në programin artistik me Trupën Artistike “Zogjtë e Shqiponjës”, të themeluar në vitin 1995, në Likofc. Nuk mund të mos e kujtoj këngën e bukur “Thërret Prizreni”, të kënduar, me aq përkushtim, nga i madhi Mujë Krasniqi, po atë vit, në sallën e Shtëpisë së Kulturës, “Hasan Prishtina”, në Skënderaj. Po, Muja, këndonte edhe atëherë kur kërkohej nga të gjitha anët prej pushtuesit serboçetnik. Ai, vinte sikur të mos ishte i shumëkërkuar nga policia serbe, e kryente punën e vet prej artisti të madh, dhe, kur argatët e shkaut e lajmëronin në polici prezencën e tij, Ai, zhdukej sikur të mos ishte. Një ditë, kur përgatiteshim për shfaqje, të cilën do ta shfaqnim në Drenas (ish Gllogofc), i pata thënë “Nipçe, po ta bllokojnë sallën, e, të zënë , çka do të bëjmë, ne, pa Ty?...” Ai, buzëqeshi si përherë, mi hodhi dy duart rreth qafe dhe ma kthej “Jo, dajë, ne kemi edhe shumë punë për të bërë, mos e ke dert, vetëm kështu ua plasim zemrën armiqve!...”.

Eh, Muja, ai trim që do të mbahet mend ndër shekuj. Kishte pamje e qëndrim burri, i rreptë në respektimin e asaj që thoshte, kishte zë të ëmbël artistik, qëndrim prej ushtaraku të rryer, oficer i lindur për luftë, i bindur se, një ditë, do ta sjellë lirinë në trojet e copëtuara shqiptare...

     T’i kujtoj të gjitha këto, e, të mos e kujtoj Betejën e madhe të gushtit, te Topat, mbi fshatin Dush, është e pamundur. Edhe sot, kur po e shkruaj këtë shkrim, me duket se po e shoh e po e dëgjoj zërin e Komandant KAPUÇIT. Ai, sa gjuante në drejtim të pozicioneve të armikut, aq bukur i dëgjohej e dallohej edhe zëri i këngës që këndonte për Shqipërinë. Të gjitha, më kanë ngelur të pashlyera në kujtesën time, por, atë që nuk do ta harroj kurrë, e, që, do ta marr me vete kudo që shkoj, edhe në banesën e përjetshme, do ta kam me vete përshpirtërisht, është thënia e Tij: “Dajë, ai që bie në fushë të nderit, i bën nder vetës, i bën nder Kombit e Atdheut, i bën nder Lirisë e Shqipërisë... Mos e harro, dajo, Dëshmorët kanë vetëm datëlindje!...”, dhe, lëshoi zërin e tij prej ushtaraku, bashkë me krismat e pushkës: “Ooooo, prite Adem Jasharin, more, o, heeeej!”...

     Këtu, nga këto thënie të Mujës së Madh, i ka rrënjët edhe ideja për themelimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”. T’i këndojmë lirisë me Mujën e për Mujën. Ta kujtojmë Mujë Krasniqin-KAPUÇIN, duke kënduar me Të e për Të, dhe, Festivali mbahet, pikërisht, në datëlindjen e të madhit MUJË KRASNIQI, më 06 qershor, sepse Ai vet e ka thënë “Heronjtë-Dëshmorët, kanë vetëm datëlindje!”.

     Dhe, kështu, nisën fillet e para për themelimin e Festivalit Folklorik, pas një organizimi të zbehtë, në Kujtim të rënies heroike të Komandant Mujë Krasniqit, nga një grup politikanësh që nuk e kishin kuptuar mesazhin e qartë nga Komandanti i tyre sypatrembur, dhe, kjo ndodhi, pikërisht, para 10 viteve, më 14 dhjetor 2000, në stadiumin e qytetit të buzëdrinit, në Klinë, në praninë e shumë pak shikuesve, edhe pse qe paralajmëruar një program i bukur artistik.


14 dhjetor 2000. Ishte mesditë. Moti ishte i mirë, njerëzit kalonin rrugës sikur atë ditë, të mos kishte ndodhur asgjë. Unë, ecja udhës, me sy të mbushur me lot, gjë që rrallë herë më ndodhë. Ecja dhe mendoja: (athua, e di Mujë nipi, për këtë që po ndodhë në Klinë... Jo, jo, nuk është e mundur, se, Ai, do të na thoshte: “Hej, mos keni gabuar, a e dini ju se më 6 qershor e kam datëlindjen?”).

Ecja, si të isha i humbur, pa e ditur se para Pallatit të kulturës, në Klinë, isha takuar me Idriz Berishën. Flisja, e s’e dija që po flisja me dikë; fliste, e s’e dëgjoja se më fliste dikush.

Edhe kjo më ka ndodhur, është e vërtetë, por, ndoshta, për ata që sot po fryhen si angërdufë deti është e pabesueshme, besa, e pavërtetë është edhe për taborrin e përvetësuesve të autorësive të huaja, të cilët, fatkeqësisht, nuk po dinë kur është i bollshëm hajdutllëku, mashtrimi, gënjeshtra...

     Atë ditë, me piktorin Idriz Berisha, biseduam derisa u ngopëm së biseduari. Biseda zhvillohej, kryekëput, për idenë time, që të themelohet Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”, në Klinë, aty ku vetë Mujw Krasniqi i Madh, kishte dhënë kontribut të pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Me Idrizin, u dakorduam që t’i hedhja në letër të gjitha idetë, ta bëja një tip skenari, me qëllim që ta shohim sesi do të dukej, në aspektin teorik, Manifestimi. Dhe, kjo ndodhi. Dy ditë më vonë, më 16 apo 17 dhjetor, në lokalet e Pallatit të Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, dyert e se cilës, pas largimit të forcave okupuese serbe, ishin mbyllur me “blomba të kuqe e me myhyr çetniku”, Pallat, që, gjatë sundimit serb, më shumë ishte përdorur si lokal politik e partiak, sesa si shtëpi kulture,  vetëm se emrin e kishte: Pallati i Kulturës. Më 19 qershor 1999, ato dyer dhe ato blomba të kuqe, i theva me kazmë, pa ndihmën e askujt tjetër, përveç Hazir Racit, tani të ndjerë. Aty, një vit më pas, po bëheshin diskutime, analiza e po përgatiteshin programe artistike...

     Në një zyrë të vogël, mbi tavolinë, i hodha të gjitha, që i kisha përgatitur për dhe rreth Festivalit. Tanimë, ishte prezent, përpos Idriz Berishës, edhe Ismet Krasniqi, e, më vonë, e ftuam edhe Gani Morinën, që të na ndihmonte për përgatitjen e një rregulloreje të punës, sipas rregullave, akteve e normave juridike. Më vonë, në fillim vitin 2001, me iniciativën time, është thirrur një takim pune në Pallatin e Kulturës, e, që kishte të bënte me organizimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, në shenjë të Kujtimit të Komandantit të lavdishëm të UÇK-së, Mujë Krasniqi – KAPUÇI. Në takimin e parë ishin të pranishëm: Idriz Berisha, Ismet Krasniqi, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Gani Morina, Zef Prenaj, Skënder Gashi, Halit Gashi dhe Prend Buzhala. Pas përfundimit të takimit, u mor vendim që të ftohen të gjithë ata që me dëshirë do t’i bashkëngjitën karvanit të organizimit të kësaj feste të bukur kombëtare, si dhe, u caktua takimi i radhës, pas një jave.

     Në takimin e dytë, u caktua Këshilli Organizativ, u ndërtuan grupet punuese dhe u ndanë detyrat e secilit grup dhe individ. Këshilli i parë Organizativ e kishte këtë përbërje: Dibran Fylli, kryetar, Idriz Berisha, skenograf, Ismet Krasniqi, zëvendës, Skënder Behramaj, dizajner, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Gani Morina, Zef Prenaj, Skënder Gashi, Halit Gashi, Prend Buzhala, Kamer Raci, Ramadan Selimi, Refki Krasniqi, Xilaje Hyseni, Skënder Raci, Brahim Fylli, Enver Marmullaku. Me propozimin tim dhe me miratimin e KO, u vendos që vendi i parë të nderohet me Çmimin “MUJË KRASNIQI”, si dhe të disenjohet Emblema, vula dhe Flamuri i Festivalit, pastaj, me propozime, sugjerime e ide të ndryshme, u vendos për ndarjen edhe të shpërblimeve të tjera, si: Vendi i dytë dhe i tretë, Grupi më i kompletuar, Veterani i festivalit, Teksti më i mirë, Veshja më autentike, Çmimi i publikut dhe Instrumentisti-ja më i-e mirë.

Puna intensive, e palodhshme dhe plot entuziazëm, e këtyre aktivistëve të kulturës, bëri që Festivali të mbahet pa më të voglën pengesë, si për nga organizimi, pjesëmarrja e grupeve konkurruese, financimi e punë tjera, që u kryen dhe zgjatën plot pesë muaj, deri te fillimi i mbrëmjes se parë garuese.

     Në Festivalin e dytë, të 2002-tës u bënë ndryshime të mëdha pozitive. Në janar të atij viti, të gjitha vendimet e Këshillit Organizativ, Flamurin, vulën, skenarin dhe dokumentet zyrtare, i dorëzova në Zyrën Komunale për Kulturë, te zyrtari i atëhershëm, z. Idriz Berisha, dhe, me një kërkesë, iu drejtova Kuvendit Komunal të Klinës, për zyrtarizmin e Festivalit, gjë që, më 8 prill 2002, Kuvendi Komunal, në seancën e III-të, të rregullt, mori vendim për Zyrtarizimin e mbajtjes se Festivalit Folklorik, “I këndojmë lirisë”, në Klinë.



 (Vendimi, 01 Nr. 643-119/02, dt.08.04.2002)

Pas zyrtarizmit, u caktua takimi i radhës dhe u raportua për punët organizative të grupeve punuese. Dy ditë më vonë, u mbajt takimi, në zyrën e z. Asllan Krasniqi, për zgjedhjen e Drejtorit, Sekretarit dhe Arkëtarit të Festivalit. Me kundërkandidat, me vota të fshehta dhe me shumicë votash u zgjodhën organet zyrtare të Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, në këtë përbërje: Dibran Fylli, Drejtor, Ramadan Selimi, Sekretar dhe Xilaje Hyseni, Arkëtar. Pastaj, nga drejtoria e Festivalit, u vendos që të zgjidhen organet tjera, në përbërje të KO. Në krye të Këshillit Artistik u zgjodh Ismet Krasniqi si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Artistik: Rrahim Gashi, Zef Prenaj dhe Nysret Kadriu, e, po ashtu, u ngritën edhe komisione e grupe punuese, si: ai për grumbullimin e mjeteve financiare, për pritjen dhe përcjelljen e mysafirëve, për ndërtimin e skenës që do të ndërtohej para platosë së Pallatit të Kulturës, për vendosjen e publikut gjatë mbrëmjeve garuese, si dhe shumë grupe të tjera punuese, dhe, që të gjitha e kryen detyrën me nder e me përkushtim të madh, ashtu siç do kishte dëshiruar edhe vetë Komandant Mujë Krasniqi, për Klinën e tij, që po frymonte aq lirshëm. KO iu shtuan edhe shumë emra të njohur të kulturës dhe organizatorë të palodhshëm për këtë manifestim nderi e krenarie kombëtare.




     Para se të fillonte mbrëmja e parë e Festivalit, Klina po dukej më ndryshe. Bukurinë ia shtonte skena madhështore, me skenografi të punuar me përkushtim, nga piktori i njohur, Idriz Berisha. Më kujtohet, kur arriti artisti i madh nga Fushë Arrëzi, Frrok Haxhia. Ai, ndaloi afër skenës dhe m’u drejtua me fjalët: “Unë jam Frrok Haxhia, që ua përcjell përshnetjet e mia nga Shypnia....Kur po e shoh këtë skenë, kaq madhështore, me këtë skenografi e organizim të mrekullueshëm, po me duket vetja sikur jam në skenën e Gjirokastrës, që ka traditë festivalesh...”, fjali të cilat artisti i popullit i tha dhe i pwrswriti edhe në hapje të mbrëmjes garuese, në skenën e madhe të Festivalit.

     Ajo që vlenë të thuhet dhe që i takon merita, tash e një milion vjet, janë vetë donatorët-zejtarët dhe populli i Klinës me rrethinë, që e ndihmuan Festivalin me mjete financiare, dhe, me të gjitha mundësitë që patën dhe i ofronte koha, sepse, edhe pse Festivali ishte zyrtarizuar, ai, financiarisht, vonë ka filluar të ndihmohet nga buxheti komunal, dhe, edhe atëherë, jo mjaftueshëm për kërkesat e një festivali, por, prapë, donatorët ishin ata që e mundësonin mbajtjen e këtij Festivali për tri net, prandaj, këtë nuk duhet harruar, të paktën, jo njerëzit e kulturës, sepse, politika, po ua ngatërron men’të, po ua kalbë e mykë trurin...

Për Çmimin Mujë Krasniqi, po garonin nga të gjitha anët e trojeve shqiptare dhe nga diaspora. Çdo hapërim në skenën e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, për artistët ishte privilegj, ishte ëndërr e realizuar...

Festivali u mbajt plotë katër vite, pa prezencën time fizike, në Klinë. U mbajt dhe u organizua falë përkushtimit të atyre që e dinin vlerën e festivaleve, të lirisë, të luftës çlirimtare dhe të komandantëve të saj, pastaj, pas daljes sime nga burgu, ende pa u çmallur me familje, prapë, me ide të reja, dhashë kontributin tim maksimal për ta freskuar Festivalin Folklorik, por, për çudi, edhe pas krejt këtyre që i bëra për këtë Festival, tani, pas marrjes se kompetencave, komuna dhe komunarët e Klinës, kryetarët, presidentët e presednikët e saj, edhe këtë vit kanë vendosur që Festivalin ta mbajnë pa prezencën time fizike, sepse, shpirtërisht jam aty ku këndohet për Mujën e me Mujën, e, unë, do t’i pyesja ata “ekspertë”: Me çfarë skenari e me cilin koncept regjisorial do të paraqitet në Festival i ftuari i juaj në vendin tim, përpos atij që e ndërtova e ngrita me duart e mia, e, për fat të keq, mbeti në duart e politikës?

Për të mos u mbetur borxh lexuesve të mi dhe për të qenë korrekt, më duhet t’u them se ky taborri i politikës nuk më ka përjashtuar nga përbërja e Këshillit Organizativ, me ka caktuar aty diku, por, jo në vendin tim ku di dhe ku mund t’ia dal. Unë, droj, se më caktojnë në ndonjë grup punues ku nuk i di punët dhe nuk mund t’ia dal, prandaj, e them se këtu e në atë taborr po zihet diçka e çuditshme për kulturën, dhe, që unë nuk kam shije për atë çorbë.

Unë, di të krijoj art të mirëfilltë, di ta çmojë punën dhe kulturën shqiptare, di, mund dhe dua të bashkëpunoj me cilindo që ka mendim e veprim të shëndoshë, di të kërkoj kompensim për punën që e punoj, di edhe të punoj edhe fare pa lek, aty ku duhet dhe ku flenë puna, por, nuk di të vjedhë !?!...

Kështu, Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë” nisi hapat e parë, ky është krejt historiku i tij, e vërteta, pa rrena, për autorësinë e tij është kjo, këtu e ka datëlindjen, këtu është autori dhe këta ishin nismëtarët e tij, të cilëve u printe fryma e lirisë, të cilën ua dhuroi gjaku i Komandant Mujë Krasniqit – KAPUÇIT dhe i shokëve të tij dëshmorë.

(Në të ardhmen jo të largët, çdo imtësi rreth Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”)

Açarevë, 31 maj 2010                              dibran fylli, regjisor, bashkëluftëtar i Komandant Kapuçit

 

Search site

© 2014 All rights reserved.