BETEJA E FUNDIT E AZEM GALICËS

      

BETEJA E FUNDIT E AZEM GALICËS

 

Populli ynë, historikisht, të gjitha luftërat i ka bërë të drejta dhe çlirimtare. Ai kurrë nuk e zgjodhi luftën vetë, por ia imponuan të tjerët, pushtuesit. Kurrë nuk pushtoi troje të huaja, por i mbrojti trojet e veta, nuk i nënshtroi popujt e tjerë, por kurrë nuk u pajtua të jetojë i nënshtruar. Këtë më së miri e dëshmon mësuesja e jetës- historia, e cila, mjerisht, të shumtën e rasteve u tregua njerkë. Këto luftëra për liri e pavarësi qenë të pashkëputura që nga koha e të madhit Skënderbe e deri të UÇK-ja fitimtare. Dhe, përherë, deri më 1912, kur u formua Shteti Shqiptar, patën karakter gjithëkombëtar. Mëvetësia e Kosovës u sakatos, jo në luftë, sepse kur erdhi ushtria serbe e gjeti të çliruar nga turqit, por në Londër, në tavolinën e gjelbër. Mirëpo edhe pas kësaj kënga e grykëhollave nuk pushoi për asnjë çast. Njëra ndër format më të përshtatshme të rezistencës u tregua edhe Lëvizja kaçake, e cila zë fill në kohën e Perandorisë osmane dhe vazhdon deri më 1928. Ajo kulmoi në kohën e Azem Galicës  (1915- 1924), i cili bashkë me Shotën dhe çetat e veta kreshnike bëri mbi 60 beteja fitimtare kundër tri perandorive pushtuese. Kësaj radhe do të ndalemi vetëm në betejën e fundit që u zhvillua më 15 korrik 1924 e që më shumë njihet si Epopeja e Arbërisë së Vogël. Pranvera e vitit 1924 popullin shqiptar, në të dy anët e kufirit kombëtar, do ta gjejë në këmbë. Çetat çlirimtare në Kosovë ishin shtuar dhe mobilizuar. Forcat demokratike në Shqipëri kishin marrë hov dhe veçsa nuk kishin shpërthyer. Mjaftonte një shkëndijë e vogël për të marrë flakë. Dhe, momenti erdhi. Më 20 prill 1924, spiuni i Zogut, Isuf Reçi, e plagosi për vdekje, derisa po shëtiste rrugëve të Tiranës me Hoxhë Kadriun, mësuesin libohovas Avni Rustemin, i cili më 13 qershor 1920 e pati shtrirë për tokë në Paris tradhtarin Esat Pashë Toptanin. Pas disa ditësh Avniu vdes dhe populli u ngrit në këmbë. Varrimi i tij u bë në Vlorën heroike, më 1 maj 1924, pranë plakut të urtë, Ismail Qemalit. Atë ditë e tërë Shqipëria ishte në këmbë. Ky ishte fillimi i Revolucionit Demokratik të Qershorit, i cili më 10 qershor përmbysi pushtetin tiranik. Në të morën pjesë mbi 20 grupe luftëtarësh nga Drenica të udhëhequr nga Mehmeti i Vogël  (Mehmet Delia) i Radishevës. Fitorja e forcave demokratike dhe ardhja e Nolit në pushtet ishte një sukses i madh për shqiptarët në përgjthësi. Edhe çetat kaçake të Kosovës u gëzuan, sepse tash e tutje do të vepronin më lehtë. Mbretërsia e SKS këtë fitore e vlerësoi si dështim të politikës së saj të jashtme ndaj këtij shteti fqinj, andaj tash u përqendrua rreth rrëximit të saj. Ahmet Zogu me klikën e tij kaloi në Jugosllavinë monarkiste. Në Beograd e pritën mirë. Vetë kryeministri dinak, Nikollë Pashiqi, e priti në kabinetin e tij dhe u morën vesh për shumë gjëra. Zogu i premtoi atij se po të ndihmohej për t’u kthyer edhe njëherë në pushtet, jo që nuk do t’u linte vend kaçakëve kosovarë në Shqipëri, por edhe do t’ia lëshonte disa vende Serbisë si Shën Naumin, Vërmoshin etj. Nuk kaloi kohë e gjatë dhe forcat të mëdha, mbi 10. 000 veta  ( vullnetarë, zogistë, mercenarë, bjellogardistë, të burgosur etj.) e sulmuan Shqipërinë në tri drejtime: nga Dibra sulmoi grupi i udhëhequr nga vetë Ahmet Zogu, nga Prizreni grupi i Cena bej Kryeziut dhe nga Mali i Zi grupi i Malo bej Bushatit. Më 24 dhjetor 1924, ende pa u mbushur gjysmë viti, bie Qeveria e Nolit. Krahas faktorit të jashtëm, në rënien e kësaj Qeverie, ndikuan edhe gabimet e brendshme. Fan Noli dhe Qeveria e tij e brishtë i bënë ca gabime: premtuan reforma të shumta e nuk arritën t’i realizojnë të gjitha dhe ndaj opozitës nuk e përdori dhunën revolucionare. Frytet e revolucionit të Qershorit Noli me shokë duhej t’i mbronte me forcë e me armë të rekrutuar nga populli, sepse vetëm ky mund të siguronte fitoret e korrura. Këto lëshime dhe gabime i pa edhe vetë Noli, i cili më vonë, në një vend shkruante: “Kemi vrarë veten me dorën tonë”. Kjo vërehet edhe në poezinë “Krishti me kamçikun”, kur thotë:

Je gabuar, o Krisht, që u ke predikuar

Se të marrët, të shurdhërit s’kanë dëgjuar.

Ndreq kurrizin më parë, pastaj ndriço trurin

Se shpirt-robi s’çlirohet askurrë pa drurin.

Mirëpo para se të ndërmerrej diçka kundër Revolucionit dhe Qeverisë Demokratike të Tiranës duhej shkatërruar “Arbëria e Vogël” e Azem Bejtë Galicës, e cila qëndronte si pararojë besnike mu në ballë të Drenicës heroike. Kjo kala vigane, që në fillim përfshinte të gjitha fshatrat e komunës së Prekazit. (Galicën, Lubovecin, Mikushnicën, Dubofcin, Beçiqin, Krasaliqin, Prekazin, Tërnavcin, Kuçicën dhe Stërmcin e Ulët), kurse nga janari i vitit 1924 ishte kufizuar vetëm në tri  (Galicë, Lubovec, Mikushnicë), i qëndronte karshi qeverisë së Beogradit. Krali serb ishte i sigurt se po arriti ta shthurë këtë fole shqiponjash fare lehtë do të depërtonte edhe në Shqipëri. Ai bëri të gjitha përgatitjet për ta rrethuar me ushtri, sepse xhandarmëria nuk po bënte punë. Si përherë, edhe kësaj radhe, këtë detyrë e mori përsipër Pashiqi mjekërbardhë, i cili:

Tel Zhupanit n’ Shkup i ka çue

çou Zhupan ti me u shtrengue

me asqerë n’Drenicë me shkue

Azem Bejtën dom me e rrethue

me e rrethue, paj, me asqeri

se nuk po nxinet me xhanari…

Kështu, më 14 korik 1924, forca të mëdha ushtarake nga garnizoni i Shkupit  (mbi 1200 veta), të përcjellur edhe nga artileria e rëndë, e përbërë nga shumë mitraloza e 7 topa, i hipin trenit dhe nisen për në Kosovë. Pos ushtarëve të rregullt atyre u bashkangjitën edhe disa vullnetarë, çetnikë, njerëz të liruar nga burgjet, të mobilizuar me dhunë dhe ca xhandarë vendës për t’ua treguar rrugën. Në të vërtetë ata e kishin bërë skicën që më parë. Dy javë më heret, tre oficerë e dhjetëra ushtarë ishin parë në Qyqavicë, mbi Dubofc, dhe kishin pyetur për fshatrat përreth, sidomos për Galicën, Lubovecin dhe Mikushnicën, të cilat edhe i kishin rrethuar në hartë me ngjyrë të kuqe.Kur zbresin në Mitrovicë, masës së shqetësuar i thonë së po shkonin për ta forcuar kufirin me Shqipërinë. Në të errur, pas orës 20, nisen rrugës për në Pejë. Kur arrijnë në Vojtesh, e lëshojnë rrugën dhe marrin drejt “ARBËRISË SË VOGËL”. Dikur, rreth mesnatës, grumbullohen në vendin Leskova, afër Lubovecit. Aty koloneli Stojanoviq, në prani të zhupanit të madh të Shkupit, lexon urdhëresën se shkonin për ta rrethuar Azem Bejtë Galicën. Pasi marrin udhëzimet e duhura dhe detyrat e qarta: oficerë, nënoficerë, ushtarë e xhandarë nisen për në vendet e caktuara. U morën vesh për një rrethim të trefishtë dhe për një sulm të rreptë e të përnjëhershëm nga të gjitha anët e me të gjitha armët. Ende pa aguar mëngjesi i 15 korrikut, të tri fshatarat e “Arbërisë së Vogël”; Galica, Luboveci dhe Mikushnica, u gjeten të rrethuara trefish. Dëshmitarët e asaj dite  ( Zenel Haxha, Rushit Syla, Vesel Ujkani, Ali Islami, Tafil Islami, Rifat Avdiu, Azize Ferizi etj.) këtë betejë të përgjakshme midis forcave, askund të barabarta, e përshkruajnë kështu: Ishte festa e Bajramit të vogël. Ditën e dytë, të gjitha çetat e Drenicës u mblodhën në Galicë. Kishin ardhur për ta përgëzuar kryekomandantin e tyre. Në lëndinën e varreve u grumbulluan edhe shumë burra e të rinj. Gjashtë tupana binin sa e dridhnin tokën. Trimat kërcenin e hidhnin valle papushim. Gjuanin gurapesh e përlaheshin shokash të rinjtë. Pleqtë kuvendonin nën hijen e lisave qindvjeçarë dhe pinin duhan. Dikur pasdreke tre djelmosha shkuan dhe i vendosen tri tjegulla të gëlqerosura në Kërshin e Zallinave, për t’i gjuajtur shenjë. Filluan të qesin me radhë. Plumbat fishkëllonin dhe qëllonin. Një shenjë, për çudi, qëndronte e paprekur. Nuk rrëxohej se nuk rrëxohej dot. Kjo është shenjë e keqe, - thanë më të vjetrit. Shota veç po i shikonte. Dikur nuk u durua dhe foli me zë: “Mjaft, more vllazen, mos harxhoni kot fishekë, se na duhen. Anmikun e kemi te pragu i vatrës. Unë ua heq qafesh atë të mallkuar, se sot as Azemit nuk po i shkon mbarë. Edhe kur është zgjue nga gjumi iu ka lidh shoka nyje, çka kurrë nuk i ka ngjarë”. E mori pushkën, u ul në gjunjë dhe me fishekun e dytë tjegullën e bëri copë-copë. Kah mbrëmja njerëzit u shpërndanë nëpër shtëpitë e veta. Edhe luftëtarët vepruan njësoj. Në kullën e Azemit atë natë u ndalën vetëm tre luftëtarë: Hazir Rama i Vitakut, Bajram Delia i Tërnavcit dhe Kamer Llausha. Në shtëpitë tjera në Galicë kanë qenë edhe: Hys Popova e Zenel Ujkani në shtëpinë e dajës së vet, Emin Rexhës; Halil Xhemaili dhe Shaban Sherri  (Llausha) në shtëpinë e Hasan Lahut dhe Bekë Hyseni në shtëpinë e vet. Në Lubovec, pos luftëtarëve vendas, atë natë kanë qenë edhe Xhemë Tërnavci me Isë Koshutanin. Ndërsa në Mikushnicë ishte Shaban Manxholli me fshatarët e vet. Pra, siç po shihet, atë natë të kobshme, nga Çeta kreshnike e Azem Bejtë Galicës, në Arbëri të Vogël nuk kishte më tepër së 13 luftëtarë.Të nesërmen, ditën e tretë të Bajramit të Vogël, ditën e martë, më 15 korrik 1924, të tri fshatrat u gjenden të rrethuara. Rrethi i parë mbështillte kullën e kryetrimit, rrethi i dytë Galicën dhe rrethi i tretë gjithë Arbërinë e Vogël. Pos mitralozave të mëdhenj, në kodrat përreth ishin vendosur edhe 7 topat: i pari në Lubovec, në kodrën mbi shtëpinë e Halit Bajramit; i dyti në Kërshin e Zallinave  (aty ishte edhe komanda dhe zhupani); i treti në Sukën e madhe të Galicës; i katërti në Kudrinë afër Dubovcit; i pesti te Mrizet e Mikushnicës; i gjashti te Kika e Prekazit, mbi shtëpinë e Hajzer Nezirit nga Mikushnica dhe i shtati te Kodra e Prekazit  ( ku gjenet sot shkolla). Ashtu siç ishin marrë vesh në Leskovë, sulmi duhej të ishte i furishëm dhe i përnjëhershëm. Së pari sulmuan me topa dhe mitraloza nga të gjitha drejtimet. Qëllohej çdo kullë e çdo shtëpi, por zajrri kryesor ishte drejtuar kundër kullës- kala, e cila përballonte suksesshëm. Kur nuk mbeti kullë a shtëpi pa marrë flaka nga artileria u dha urdhëri për këmbësorinë. Ushtarët, që kishin dëgjuar dhe lexuar nëpër gazetat e tyre për heroizmin e trimit, i kishte rrokur paniku. Përkundër komandës ende nuk guxonin të afroheshin. Gruaja e dytë e Azemit, Zoja, e para i kishte hetuar armiqtë e pabesë. Ishte ngjitur në kullë dhe e kishte lajmëruar të shoqin. Ai, si zakonisht gjakftohtë e pa u ngutur, përgatitet mirë e mirë dhe u bënë zë shokëve që ende po flinin:

-Çonu shokë, se kokmi rrethue,

jemi rrethue more vllazni

s’paskem pas besë me këtë krali

- Sa për vete , s’pi kam dert

hiq s’po m’dhimet jeta me dek

hiq s’po m’dhimet, more vllazni

po po m’dhimen robë e fmijë

nuk asht shaka, more, me asqeri

kanë të nxanë nuk e lëshon pa e gri.

Pas këtyre fjalëve Azem Bejtë Galica del nga kulla dhe në derë të oborrit e vret një kapiten, i cili për t’u dhënë zemër ushtarëve ishte afruar deri aty  (shpata i kishte ngelur në avlli- tregon Rifat Avdiu nga Mikushnica, që si fëmijë e kishte gjetur pas disa ditësh). Pas vrasjes së oficerit serb dhe kushtrimit që e lëshoi Azemi  (thuhet është dëgjuar deri në Prellofc, 1. 5 orë larg Galicës) ushtarët zbrapsen dhe marrin vrapin nëpër arën me misër. Në anën tjetër të kullës del Bajram Delia, i cili nga një pusi lufton derisa vritet. Qëndrimi heroik i këtij trimi  (ishte djalë hasreti) i zbrapsi për një moment hordhitë serbe që vinin togje-togje Për ta çarë rrethimin e parë dhe për të dalë nga kulla, Azemin e ndihmoi heroina Shotë dhe sulmi i shpejtë i trimave të Lubovecit. Ata, me të krisë pushka e parë, ngritën në këmbë dhe të prirë nga luftëtari plak, Halit Bajrami, me vrap arrijnë te kulla, duke i sulmuar pas shpine ushtarët që kishin rrethuar kullën. Në atë moment Azemi pat thënë:

-Trimit hakun mos me ia ngranë

Luboveci gjthmona janë kanë

Sa herë ngusht që jam qëllue

Djemtë e Gashit më kanë ndihmue.

Lufta u ndez edhe në shtëpitë e tjera në Galicë. Kush kishte pushkë luftonte aty ku qëllonte. Askush nuk e mendonte vdekjen. Edhe në dy fshatarat e tjera, në Lubovec e në Mikushnicë, luftohej për jetë a vdekje. Çdo gjë mori flakë. Digjej gruri nëpër ara e nëpër lama, digjeshin shtëpitë, digjeshin stallat bashkë më bagëtinë brenda. Gratë, fëmijët dhe pleqtë nuk dinin kah t’ia mbanin. Tymi e flaka kishin mbuluar qiellin… Në sulmin e parë, pos Bajarm Tërnacvcit vritet edhe Hys Popova, i cili 10 ditë më parë kishte ikur nga burgu i Mitrovicës dhe kishte ardhur në “Zonën e lirë të Drenicës”. Azem Bejtë Galica nga rrethimi i parë doli me një plagë në krahërorin e majtë. Ai, në të dalë e porosit Shotën që t’i marrë dy gratë e tjera dhe të bashkohen me të gjitha gratë dhe fëmijët galicas e të nisen drejt Qyqavicës. Vetë, pasi e lidhi plagën u nis drejt malit Gamna. Në Livadhet e Frashërit, serbët nga frika kishin futur kokat në dhe. Ka raste që edhe kanë shkelur mbi ta e nuk kanë bërë zë. Nga vendi i quajtur Qafa një mitraliz i madh ua prente rrugën dhe nuk i lëshonte të ecnin përpara. Trimi pushon pakëz dhe e merr në shenjë gjuajtësin, të cilit ia hoqi kapakun e kokës. Kur afrohen pranë e gjejnë një toger që ende po përpëlitej. Te Azemi i Ademit në Mikushnicë ndalet dhe e pi një gjysmë kënate ujë. Rrethi më i vështirë ishte vu në livadhet e Mikushnicës. Ishte rrethi i fundit, rrethi i tretë. Aty takohen shumica e luftëtarëve nga të tri fshatrat e rrethuara. Nëpër livadhe dhe në një arë me misër kishin zënë prita armiqtë e panumërt. Ishte vështir të kalohej andej. Si zakonisht, Azem Bejtë Galica , u nis i pari për të çarë rrethimin. Pushka nuk bënte punë, se ishte afërsi e madhe. E nxori revolën 15-tëshe, me mulli dhe u sul si vetëtima duke qëlluar në të dy anët. Kur kalon në Kodrën e Karadanit, pak para se të futej në malin e madh, plagoset për vdekje. Një plumb tinëzar i passhpinës e qëllon në pakon e fishekëve të vet, të cilët eksplodojnë dhe ia këpusin boshtin kurrizor, duke e bërë të palëvizshëm. Fill pas tij sulen edhe të tjerët. Për disa orë rresht u bë luftë e rreptë. Pati të vrarë e të plagosur nga të dy anët. Livadhet u mbushen me kufoma. U vranë edhe shumica e shokëve të Azemit. Kryetrimin e plagosur rëndë e marrin në krah  (me shoka e rregulluan një si vig) Halil Avdia e Smajl Shabani nga Galica dhe Kamer Llausha, të cilët e nisen drejt Qyqavicës. Tërheqjen e tyre në thellësinë e maleve e mundësoi lufta heroike e Qerim Shashit-Qollakut nga Luboveci. Ai ishte plagosur rëndë, predha ia kishte këputur të dy këmbët. E kishte zënë një pusi të mirë dhe e mbante frontin i vetmuar. Shokët i kishin lënë mjaft municion. Armiqtë e mendonin për Azemin dhe e sulmonin me të gjitha forcat. Ai, herë-herë pushonte derisa ata i afroheshin e paskëtaj i qëllonte duke i vrarë nga dy e tre me një plumb. Tri herë e kishin dërguar një grua  (Zepën e Mikushnicës) që të dorëzohej, por kot, nuk pranonte. Kur i harxhohen fishekët e shkatërrojnë me bomba, si Oso Kukën në Vraninë. Dhe, më vonë, në atë vend u gjeten, dy gjarpërinj të copëtuar, një breshkë të dërrmuar dhe ferrat e shkrumbuara. Shotë Galica, edhe pse atë natë qe e sëmurë, u tregua heroinë e vërtetë. Pasi i ndihmoi burrit për ta çarë rrethimin e parë, sipas porosisë së tij, mbi rrobat e veta luftarake veshi rroba grash dhe me pushkë nën sqetull u nis drejt qendrës së fshatit. Pas saj shkonin edhe Zoja me Hatën. Shumica e grave, pleqve dhe fëmijëve ishin tubuar dhe po u printe plaku me mjekër, Shaban Tahiri. Cerberët serbë posa i hasin e vrasin plakun dhe ata i mbyllin në një stallë. Dy ushtarë i caktojnë roje. Dikur, njeri prej tyre, i lodhur nga vapa, ua hedh një bombë brenda. Një grua e shpejtë e kap bombën ende pa eksploduar dhe ua kthen prapa, duke i mbytur që të dy. E çelin derën dhe dalin përjashta. Te Ftojt e Tahirit, arrin edhe Shota, e cila u jep zemër dhe u prinë drejt Qyqavicës. Te Varret e Lahajve i gjejnë edhe familjet e asaj lagjeje, të cilëve po u printe halla Gjylë me djalin e vdekur, Murselin, që ende po e mbante në krah. Pranë tyre edhe një i vdekur, Sylë Aqareva, që kishte sjell para për Vasën e Ferzit, të cilën e kishte fejuar për djalë. Shota afrohet, e kthen mbarë dhe ia nxjerr kutinë e duhanit nga xhepi. Pasi e mbështjell një cigare ia dha Gjylës, e cila që nga ai moment e deri në vdekje, më 1956, e ka pirë vazhdimisht. Rrugës për në Qyqavicë i takojnë edhe dy xhandarë shqiptarë: Bajram Selacin dhe Kasum Gërdofcin, të cilët pas një kërcënimi që ua bën Shota se: “Nëse vetëm një fëmijë e gjen diçka ju do të përgjigjeni para Azemit”, ata i përcjellin pa ferrë në këmbë deri te Mon Kozhica. Siç dihet, në atë betejë ka pasur edhe të tjerë xhandarë shqiptarë dhe që të gjithë kanë shëbyer në të mirë të saj. Dëshmitarët tregojnë se ata, ku u jipej raqsti, qëllonin dhe vrisnin sa mundnin ushtarë serbë. Vetëm familjet e lagjes Fetahaj morën drejtim tjetër. Ata shkuan kah Kërshi i Zallinave. Rrugës takohen me një oficër të plagosur, i cili nisi t’i vras, por për fat aty afër qëllon një xhandar shqiptar, Mehmet Vushtrria. Ai i merr dhe i dorëzon te zhupani dhe koloneli Stojanoviq. Meqenëse të gjithë ishin pleq, gra e fëmijë i lejonë të kalojnë jashtë vijës së zjarrit. Edhe dy fshatrat tjera kishin marrë flakë. Burrat kishin shkuar në fronte në drejtim të Qyqavicës, ndërsa familjet kishin mbetur si pa kokë. Ca prej tyre i dërguan te kulla e Azemit dhe i pushkatuan. Armiqtë kur morën vesh së Azem Bejta Galica doli jashtë rrethimit dhe shpëtoi i gjallë u harlisën fare. Tërë mllefin zunë ta shfrenin mbi të pafajshmit. Masakronin këdo që e hasnin; pleq, gra e fëmijë në djepa. Në Mikushnicë u bë një vrasje lëmëritëse. Një gruaje shtatëzënë, Hasime Musliut, me thikë ia nxorën fëmijën nga barku. Të gjithë të vrarët i bartnin te kulla, për t’u arsyetuar para ndonjë komisioni eventual se gjoja ata kishin rezistuar. Çka i kishte shpëtuar zjarrit të artilerisë nuk i shpëtonte dot zjarrit të piromanëve me una në dorë. Bagëtinë e mbetur gjallë e grabitnin dhe e merrnin me vete. Në fund grupin e galicasve të mbajtur peng, i pushkatuan në qendër të fshatit. Dhe, pas kësaj, kolonisti vendas, Maksim Ujakoviqi, i rrotullonte kufomat me këmbë dhe ai që kishte mbetur gjallë e qëllonte me revole. Aty e vrau edhe të riun 18 vjeçar, Sinan Ujkanin, i cili nën kufoma kishte shpëtuar. Krahinari i Shkupit  (Zhupani i madh) dhe koloneli që e udhëheqte ekspeditën të mllefosur dhanë komandën:

Te Zhupani po bërtete burija

Ngreh asqerin, hiqmu tina

Hiqnu tina për me e lanë

Të shtatë kralat mu çue n’kamë

S’ka asqer Azemin qi e nxanë.

Nime koka qysh kanë pas thanë

Veç se Muja nat vakt n’ koft kanë.

Pasi shkretuan çdo gjë mbi dhe u nisen andej nga kishin ardhur. Me vete morën plaçka të ndryshme. Në mbrëmje sollën qerre për t’i bartur kufomat dhe të plagosurit e vet. Numri i tyre i saktë nuk dihet, por dëshmitarët thonë se ka pasur shumë. Për të mos rënë në sy, ata i ndajnë në dy grupe; ca për Vushtrri, ca për Mitrovicë. Kryetari i atëhershëm i komunës së Zhabarit, Shaban Rexha, nga naçallniku i Zveçanit, e kishte dëgjuan shifrën 85. Shaban Hamiti nga Ashlani, atëbotë 12 vjeçar, thoshte se vetë i kishte numëruar 97 kufoma. Të tjerë pohojnë se vargoi i qerreve bartëse ka qenë i gjatë nga Galica në Vushtrri.Të vrarët e Arbërisë së Vogël mbeten mbi dhe. Nuk lejonin të varroseshin kinse pa ardhë një komision i jashtëm. Në atë vapë të madhe, trupat e tyre zunë të prisheshin. Kufoma e Nezir Zeqirit u frye derisa pëlciti. Tek pas disa ditësh burrat e fshatrave përreth, shumica nga Prekazi, erdhën e i varrosen si munden, disa aty ku i gjenin, nëpër ara, male e livadhe, kurse ata që i patën grumbulluar te kulla i varrosen në varreza të përbashkëta. Të plagosurit fshehurazi u mjekuan nëpër shokë e miq. Tri fshatrat e Arbërisë së Vogël u shuan për ca kohë…

Lufta e Galicës, apo thënë më mirë Epopeja e Arbërisë së Vogël, pati jehonë të madhe. Ajo u vlerësua dhe u komentua në mënyra të ndryshme. Pos nëpër gazeta e komente, ajo u diskutua edhe në Kuvendin e Jugosllavisë monarkiste. Dr. Millan Sershkiqi, ministri i punëve të brendshme i qeverisë serbe, fill pas betejës, e informoi Parlamentin me rrjedhën e asaj ngjarjeje dhe duke u munduar të arseytohet pos tjerash thotë: “Azem Bejta me kullën e tij dhe me fshatrat përrth ka qenë shteti në shtet. Ajo ka qenë një krahinë e pamposhtur në shtetin tonë…kjo ka qenë turp dhe një provë e dobësisë dhe paaftësisë së shtetit tonë që të durojë një shtet në shtetin tonë. Azem Bejta ka mbajtur lidhje me Komitetin e Kosovës në Shqipëri. Kulla e tij ka qenë strumbullar i propagandës kaçake, e cila ka kushtuar një mori jetërash të qytetarëve, xhandarëve e ushtarëve tanë. Kurrë, zotëri, që nga çlirimi e deri para pak ditësh nuk ka shkelur këmba e organeve tona në atë territor. Në Galicë na kanë sulmuar që në fillm, edhe pse i kemi lutur që të dorëzohen, dhe na i kanë vrarë 14 ushtarë serbë, sllovenë e kroatë, midis tyre edhe një gjerman. Atëherë jemi detyruar të hapim zjarr nga të gjitha armët. Me “keqardhje” konstatoj se aty u vranë shumë njerëz nga zjarri i armëve artilerike, midis të cilëve edhe dy gra. Në mesin e të vrarëve gjenden edhe 80 kaçakë, 10 prej tyre të shantazhuar”. Këto të dhëna nuk përkonin aspak me të vërtetën, por i duheshin për ta arsyetuar atë barbari mbi banorët e pafajshëm e të paarmatosur. Edhe ndonjë kokë e arsyeshme serbe u distancua nga ato veprime shtazarake. Kështu një deputet u ngrit dhe tha :” Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk do të lejoja që organet e mia të vrasin gra e fëmijë e të djegin fshatra të qeta”. Ndërkaq shkrimtari kroat, Miroslav Kërlezha, që ato ditë ishte në Beograd, për muajin korrik qe shprehur:”Kjo është dështim, sepse; edhe burgosja e Kosta Novakoviqit edhe masakrimi i qindra kaçakëve të Azem Bejtës ndodhen në muajin korrik  (1924). Kjo ngjarje ngjalli reagime edhe në shtypin serb. Gazeta “Vreme” e datës 16 korrik 1924, pos tjerash shkruante:”…Lufta pati dimensione të mëdha, në të cilën u përleshen qindra kaçakë me njësi të shumta ushtarësh e xhandarësh…Në thirrjen e zhupanit të madh tri çeta nga garnizoni i këtushëm me 4 topa mbrëmë kanë hyrë në Galicë… Me shpejtësi është reaguar me zjarr pushkësh e mitralozash. Edhe katër topat , të cilët koloneli Stojanoviq i pati me vete vepronin pa pushim”. Gazeta tjetër “Pravda”, e datës 17 korrik të atij viti, shkruante:” Lufta me kaçakët, që u zhvillua dje pas dite në rrethin e Drenicës, me ashpërsinë dhe numrin e viktimave ua kalon të gjitha luftërave të deritshme me kaçakët. Lufta qe e gjatë dhe shumë e ashpër. Numri i viktimave arrin në 200…Fshatrat, në të cilat u zhvillua lufta janë shndërruar në grumbuj gurësh të shembur, nëpër të cilët spikasin trarë të copëtuar dhe kufoma të përgjakura e të masakruara. Nuk dihet a është vrarë Azem Galica apo ka shpëtuar?…”.Pra, siç po shihet, vlerësimet dhe komentimet ishin të ndryshme. Manipulime të shumta bëheshin sidomos me numrin e të vrarëve. Organet serbe nga Mitrovica dërgonin shifra alarmuese. Në to thuhej se atë ditë në Galicë dhe në dy fshatrat e tjera, u vranë 190 kaçakë. Ndaj tyre reagoi Ferat Draga, duke shkruar se atë ditë u vranë 19 kaçakë, ndërsa të tjerët civilë të pambrojtur. Të interesuar , të mësojmë të vërtetën, dolëm në terren dhe nga biseda me dëshmitarët e gjallë nxorëm këto përfundime: Më 15 korrik 1924 në territorin e Arbërisë së Vogël u dogjën 100 shtëpi, u plagosen rëndë 28 , ndërsa u vranë 82 veta. I përafërt me këtë është edhe lajmi i atyre ditëve, botuar në gazetën “Hak”. Pra, epilogu i të vrarëve të asaj dite është si më poshtë:

Në Galicë:

1. Bahtir Beka, 2. Hasan Lahu, 3. Ismail Lahu, 4. Mursel Ferizi, 5. Sylë Sahiti, 6. Selamn Ademi, 7. Sadri Ahmeti, 8. Sinan Ahmeti, 9. Ferat Hyseni, 10. Sherif Rrahmani, 11. Mehmet Rrahamani, 12. Hamide Rrahmani, 13. Osman Mehmeti, 14. Hajdin Osmani, 15. Rrustem Behrami, 16. Jashar Behrami, 17. Veli Halili, 18. Avdi Halili,  19. Shaban Tahiri,  20. Qerim Shabani,  21. Kamer Xhema, 22. Sylë Idrizi,  23. Hazir Fetahu, 24. Sinan Ujkani,  25. Nezir Beqiri,  26. Zahide  (Zaha) Beqiri, 27. Një fëmijë i Nezirit,   28. Hys Popova- Popovë,  29. Bajram Delia- Tërnavc, 30. Sinan Aqareva-mysafir,  31. Isa Shabani- Rashan, 32. Abaz Bajrami- rom,  33. Shak Basjrami- rom,  34. Ibrahim Bajrami- rom,  35. Man Bajrami- rom

Në Lubovec:

1. Halit Bajrami, 2. Murat Bajrami, 3. Asllan Bajrami, 4. Bajrush Bjarami, 5. Salih Xhemaili, 6. Sadik Rama, 7. Qerim Shashi, 8. Zyhër Miftari,  9. Behram Delia, 10. Cek Ismaili, 11. Xheladin Veliu, 12. Tafil Jetullahu, 13. Zenun Sherifi, 14. Maksut Islami, 15. Tahir Islami, 16. Islam Neziri, 17. Demë Beqiri, 18. Zeqë Beqiri, 19. Idriz Isufi, 20. Shaban Ademi, 21. Kurt Osmani, 22. Mustafë Abazi, 23. Selman Beqiri, 24. Bajram Koshtova- mysafir, 25. Bajram Hyseni- mysafir

Në Mikushnicë:

1. Ismail Manxholli, 2. Ahmet Manxholli, 3. Vesel Shabani, 4. Jashar Behrami, 5. Ali Behrami, 6. Sadik Behrami, 7. Hafie Avdiu, 8. Bahtie Avdiu, 9. Rexhep Hyseni, 10. Muharrem Cena  ( Cen Muharremi), 11. Sadik Salihu, 12. Ujkan Mehmeti, 13. Mehmet Alia, 14. Munish Ademi, 15. Bajram Sahiti- nip nga Baica, 16. Ajete Sadriu, 17. Hasime Musliu, 18. Bajram Bajra, 19. Hajzer Barja, 20. Sadik Rrahmani, 21. Sadri Zeneli, 22. Salih Fazliu.

Mbrëmjen e 15 korrikut 1924, te Kroi i Ftohtë në Qyqavicë u grumbulluan shumica e të plagosurëve dhe familjet e arratisura. Aty, midis tyre edhe Azem Bejtë Galica, i shtrirë në vig. Rojet ishin vendosur në të gjitha anët. Arbëria e Vogël ende po digjej flakë. Shota të shoqit ia mbante kokën në prehër dhe i jipte kurajo. Lajmi për luftën heroike u përhap si me krah. Aty, si vetëtima, mbërriti edhe çeta e Mehmet Konjuhit dhe e Shyt Bajqinofcit. Mehmeti kur e sheh kapedanin shtrirë zu të qajë me zë. Kryetrimi i dha zor, u ngrit në bërryla dhe iu drejtua shokëve:” Tash mbasi u bëmë bashkë me Mehmetin s’kanë çka na bajnë as shtatë kralat. ”

Dhe, pas një jave, kur u bënë rreth 30 luftëtarë, vendosën të nisen për në Shqipëri. Azemit ia sollën edhe kalin  (Allçin) nga Palluzha ( ia kishte dhënë Shaban Palluzhës). Rrugës ndalojnë në Abri, në Kullën e Hadanit, derisa ia sollën një jorgan nga Rrustem Smakiqi dhe pastaj vazhdojnë për në Gjurgjevik, te Sadik Rama. Atje u bashkohen edhe dy çeta tjera; çeta e Mehmet Delisë dhe ajo e Met Imerit. Në malet midis Përçevës dhe Gllarevës Azemi lodhet shumë. Ndalojnë për të pushuar. Pasi ua lë amanet që trupi i tij kurrësesi të mos bie në dorë të armikut dhe se lufta të mos ndërpritej, mbylli sytë njëherë e përgjithmonë. Shota me shokët besnikë ia çojnë porosinë në vend; e lëshojnë në shpellën e thellë “Çuku që kërcet”, të cilën e dinte njeriu i asaj ane, Halim Ngucati- Përçeva. Kur e lëshojnë komandantin në thellësinë e tokës mëmë, Shota vëhet në krye të ÇETËS dhe me zërin e saj rrëqethës, edhe njëherë lëshon kushtrimin sa ushtuan edhe malet: “O, PRITE, PRITE AZEM GALICËN!”

 

 

Search site

© 2014 All rights reserved.