GJENARAL “Vigan Gradica”, Apo MERCENARI Kolonel SPIRO BUTKA (Buçka)

GJENARAL “Vigan Gradica”, Apo MERCENARI Kolonel SPIRO BUTKA (Buçka)


Sot ajo që dhjetë vite më parë ndodhi në malet, rrugët, shtëpitë dhe gjithçka tjetër qenësore të Kosovës dhe të kosovarëve, vijon të jetë herë pjesë e kujtesës, herë opinionit, herë dashurisë dhe herë urrejtjes tek të gjithë kategoritë e shoqërisë shqiptare në Kosovë dhe të gjithë trojet e tjera të banuara me shqiptar etnik. Pa as më të voglin dyshim “dëshmia” e luftës ka qarkulluar, ka hyrë dhe ka dalë nga media dhe e Tiranës, sipas shumë ngjyrave, sipas shumë vullneteve, herë e zmadhuar dhe herë e zvogëluar. Ka pasur një përpjekje të shumtë me libra (të shumtë dhe voluminoz), të botuar enkas për të “modeluar” heroizma të çuditshëm, aq të përmasuar sa nuk gjenden dhe në epikën legjendare shqiptare të Veriut, të cilët kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë fatin brilant të lindjes dhe të mbeturit ende gjallë të Eposit të Kreshnikëve, të cilët e mbajnë dhe kërkojnë t’ju shërbejë për cilësitë e tyre burrërore dhe të mikpritjes, të motiveve që lidhen me atdheun dhe lidhjen me të.
Sapo hyn brenda bëmave dhe heronjve të rinj të çuditshëm, përballesh me një duel të brendshëm të vetvetes, madje kërkon të verifikosh veten, sa nuk të shpëton dilema se pa këto lloje heronjsh dhe gjeneralësh, ka të “ngjarë” që lufta në Kosovë të kishte humbur, madje dhe NATO-ja do të ishte pa efektivitet në veprimet e saja luftarake, prej nga uzurpatori i vjetër dhe i egër u largua nga trojet etnike shqiptare. Po të mos e njohësh historinë e Kosovës dhe të trevës së Veriut të Shqipërisë, ku lufta u nis, pati ecejaket e veta të dhimbshme dhe të gjithë peshën e vet, të krijohet ideja sikur në këto treva nuk paska pasur burra, luftëtarë dhe njerëz që kanë pasur kurajën atdhetare për t’i dalë vetes, vendit dhe familjes së tyre zot, po të mos kishim pasur këto gjeneralë.
Historia e luftës vazhdon të editorohet, të pamfletoset, të bëhet roman, baladë, epos, vuajtje, lakmi, diktat, fyerje, sharje, alibi, keq-kuptim dhe mirëkuptim, saqë dyshon vërtetë se ka pasur dhe vazhdon të ketë dashamirës dhe dashakeqës të saj. Ndërsa në ditarin e saj, lufta ka kronikat e veta, dhimbjet dhe kujtesën, ka epilogun dhe prologun, ka kurorën e yjeve dhe të këngëve, ka kostelacionin e fytyrave të mira, por ka dhe përfituesit e saj të pandershëm. Për të gjithë atë që bënë të vramit në këtë luftë, që në të vërtetë qe luftë, ne nuk dimë nëse do të na e falin gabimin që po bëhet nga të gjithë si ato që po shkruajnë si ato që e dinë të vërtetën dhe që e lejojnë gënjeshtrën, sepse shumë të “vërteta” që po thuhen nuk janë ato.
Diku në Veriun e Shqipërisë, aty ku jeta puthej me vdekjen dhe anasjelltas, ka shumë më shumë se sa kaq. Ka varre, plagë të lëna nëpër shkëmbinj e pyje, krahë burrash dhe fëmijësh të humbur s’di se ku, të cilët sot shpallen para nesh dhe botës si një dëshmi e ndershme për të cilën ka nevojë shpirti i lirë i shqiptarëve. Ndërsa në kujtesën e njerëzve të luftës, të cilët janë gjallë sot dhe pse mungojnë shumë prej tyre, janë konakët malësor, nënat që pritën dhe përcollën heronj, luftëtarë dhe ushtarë të ndershëm të luftës, të cilët pasi kryen detyrën e ndërgjegjes së tyre historike, mbetën po kaq të ndershëm, po kaq dashamirës, po kaq njerëz të devotshëm dhe me mirënjohjen për të gjithë ato që bënë dhe i shërbyen luftës.
1.
Pas gati një dekade Kosova ka marrë pavarësinë e dëshiruar dhe pse ajo ka vështirësitë dhe mangësitë e saj. Kështu ndodh dhe në vende të tjera ku ka pasur dhe ka më shumë mundësi. Pas një dekade në të gjithë mundësitë që afron koha teknologjike, ajo e medias së shkruar dhe asaj elektronike, lexuesit dhe të gjithë faktorit tjetër që krijon opinion dhe që kërkon njohje, vazhdon të ketë angazhime intelektuale për ta memorizuar luftën, diplomacinë dhe të gjithë atë që ka ndodhur në të vërtetë me ne shqiptarët.
Kanë shkruar dhe shkruajnë njerëz të medias, që ishin dhe pjesëtarë të luftës, kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë diplomatë të vendit dhe të perëndimit. Ka shkruar dhe po shkruajnë eksponentë të luftës, të cilët një pjesë janë ushtarakë, një pjesë tjetër është jashtë të gjithë angazhimeve dhe një pjesë tjetër ka veshur kostumin e politikanit a të shtetarit në Kosovë apo gjetkë. Janë shkruar dhe po shkruhen libra për trevat, për dëshmorët dhe evenimentet e tjera. Pra, ka një reagim të qenësishëm për të gjithë atë që ka ndodhur.
Në të gjithë këtë ndërmarrje, relativisht të dobishme, sepse historisë sonë asnjëherë nuk i vjen keq nga të shkruarit, duket se teoria e “detit kos, o burra lugën” dalëngadalë po zë terren dhe po depërton si ajo sëmundja që i vjen dalëngadalë trupit. Pasi ka kaluar një dekadë, në median e Tiranës a gjetkë, ka filluar të flitet për luftën, madje për gjërat e rëndësishme dhe të fshehta të saj, për të cilat ndërgjegje e luftëtarëve të njohur të UÇK-së  në Kosovë nuk duhet të jetë e qetë, madje ajo duhet të reagojë, të flasë, që nderimi të shkojë aty ku e ka shtëpinë. Për nderimin nuk ka ankand.
2.
Pak ditë më parë historia e luftës së Kosovës, madje krejt lufta e shqiptarëve në vitin 1999 doli “lakuriq” përmes prononcimit të një pseudo-ushtaraku të Tiranës, i cili flet me vetën e parë për ngjarjet më të rëndësishme të luftës së Kosovës, operacionin shigjeta, për dëshmorët Luan Haradinaj, Fehmi Lladrovcin, etj. “Gjenerali” Spiro Butka flet në vetën e parë, si dikur Stalini në Ushtrinë e Kuqe, sa na ngjall lutjen biblike, “O zot, shyqyr” që na ka lindur një njeri i tillë, se pa të Kosova do të ishte akoma në robëri!”. Por ne do të mund ta besonim “merimangën “ e Spiro Butkës, kur ai më së pari të na botonte C.V e tij, pasi ajo është krejt e errët, e dyshimtë. Spiro Butkës i mungon sinqeriteti intelektual dhe ndërgjegje e njeriut i cili merr penën dhe hedh në shtyp opinionin personal, por me ca gjëra që akoma nuk i ka publikuar Kosova dhe njerëzit e luftës së saj, pas 10 vjetësh, me ç’rast kuptohet qëllimi manipulator më së pari dhe ai për protagonisëm më pastaj.
Spiro Butka (mbiemri i tij i vërtetë është Buçka) arrin të na e zbulojë ashtu pak, natyrën manipulatore dhe gënjeshtare të tij, vetëm në momente kur na njofton se paska qenë dikur  shef shtabi (?), thua Shef i Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, na paska qenë dhe atashe (që nuk ka qenë asnjëherë), për këtë ato që e njohin jetën e tij në karrigen ushtarake do të flasin patjetër. Sa për dijeni Spiro Butka në karrierën e tij ushtarake ka arritur deri në gradën major dhe funksionin e shefit të stërvitjen në brigadë këmbësorie, funksion më i ulët se sa komandant batalioni. Sa për dijeni Spiro Butka është lëruar nga ushtria kur ka qenë shef stërvitje brigade në Kamëz, ku komandant brigade ka qenë M.P.
Në vazhdim të pak gjërave që zbulon vetë-rrëfimi i Spiro Butkës ka dhe një moment tjetër të shkollimit të tij kur na thotë se ai ka mbaruar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Armatës Shqiptare “Mehmet Shehu”. Sa për dijeni Akademia Ushtarake “Mehmet Shehu” nuk ka qenë Akademi e Shtabit të Përgjithshëm dhe asnjëherë nuk është përdorur termi “but(ç)k-jan”,- “Armatë”. Është një gënjeshtër që e ka lënë dhe këtu zbuluar me këmbë e duar “Gjeneralin”, që “bëri” luftën e Kosovës me ca të tjerë, po kaq “gjela” dhe gënjeshtarë, në këtë histori të vonë, që ende nuk i është tharë gjaku dhe as i është shuar tymi.
3.
Ne nuk dimë se ç’do të na thoshte po të ishin gjallë Luan Hardinaj dhe Fehmi Lladrovci, po ta dëgjonin “xhevahirin” Spiro Butka, për fatin e madh që ato paskan pasur në jetë kur kanë takuar këtë “gjeneral me tre yje”. Lidhur me të që ka të bëjë me Luan Haradinaj, është e vërtetë që ai ka qenë në Tiranë i shoqëruar shpesh nga Ismail Dauti  nga Fshati Golaj i Hasit, por në ato momente ai prezantohesh si stundent i ardhur nga Kosova për të vazhduar studimet. Në momentet kur ai është bërë protagonist dhe njeriu aktiv i luftës, askush nuk e ka ditur emrin e tij të vërtetë, të gjithë e kanë njohur si “student” apo si “Agron”.
Njohje të shumtë dhe fakte nga jeta e tij, në të gjithë atë që ne sot dimë për të na kanë sjellë një eksponent i njohur i luftës, i cili ka bashkëpunuar me Luan Haradinaj, kur ingranazhi i luftës ka filluar të lëvizë, aty nga vitet 1996-1997, dhe ai është Sokol Poga. Ai shpjegon në një intervistë ekskluzive për një libër monografik për Hasin dhe luftën, që po shkruhet nga unë se Luan Haradinaj i qe prezantuar me pseudonim, të cilin ai e ruante me shumë korrektësi, pasi kështu ishte udhëzuar ai dhe njerëzit që punonin me të.  
Për shumë kohë, të gjithë hasjanët, që e kanë njohur Luan Haradinaj, pasi ai aty ka kaluar shumë kohë, sepse i duhej të qëndronte në “nyjën” e luftës, ai është njohur me pseudonimin “studenti” apo “Agroni” dhe jo me emrin e tij të vërtetë Luan Haradinaj, deri në momenten kur ka rënë për çështjen kombëtare në 06.05.1997, ndërsa Spiro Butka ka shkuar shumë vonë, jo në luftë, por aty afër, ku bëhej lufta. Por ai i “qepët” pas Luan Haradinajt dhe Fehmi Lladrovcit, pasi ato sot janë të rënë, dhe me djallëzinë prej manipulatori, i përmend dy eksponentët e njohur të luftës si pjesë e bashkëpunimit të tij, sikur kjo gënjeshtër po shkon (po hahet), dhe se as Luan Haradinaj dhe as Fehmi Lladrovci nuk kanë mundësi ta zbulojnë këtë, që i djallëzuari “gjeneral me tri yje” na e servir si një punë të tij dhe jo të luftës. Spiro Butka, ka një të “mirë”, se e din mirë cilit duhet t’i qepet, t’i ngjitet pas, për të marrë ndopak lavdi dhe vëmendje. E vërteta dhe gënjeshtra në këtë rast është krejt e lehtë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar. S’di pse Spiro Butka nuk e njeh parimin e ushtarakut, i cili ka vepruar dhe vepron në të gjithë kohët, se gënjeshtra nuk i falet moralit, të ushtarakut.  “Xhevahiret” e Spiro Butkës vazhdojnë me eksponentë të tjerë të luftës, a thua se ato kur vinin në Shqipëri dhe Tiranë, më së pari “trokisnin” në derën e Spiro Butkës. Në ndërmarrjen e tij të fundit, për tu bërë protagonist me forcë, kryesisht me luftërat e shqiptarëve të cilat u kryen në fundin e shekullit të kaluar dhe fund-shekullin e ri, ai ka bërë “pjesë” të aktivitetit të tij për këtë luftë dhe gjoja takimet me Fehmi Lladrovcin. Siç duket Spiro Butka nuk e njeh mirë aktivitetin e dëshmorit të njohur, të dhënat e aktivitetit për të cilin nuk i japin asnjë shans “gjeneralit me tre yje” që ta bëjë jetën e tij pjesë të aktivitetit të tij të rrejshëm. Pasi në kohën kur ky “Gjeneral” angazhohet siç thotë dhe vetë në prononcimet e tij, dhe siç është e shkruar në një dossier të dhënë në gazetën “Koha Jonë”, më 06.01.2001 nga ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK – së, Bislim Zyrapi në të thuhet se Spiro Butka është i lidhur me UÇK në tetor të vitit 1998 dhe i rreshtuar në rradhët e UÇK –së, në mars të vitit 1999.
Fehmi Lladrovci kurrë nuk e ka takuar dhe as ka biseduar, për më tepër të bëjë “plane lufte” me Spiro Butkën, i cili  ka qëndruar në Kukës një farë kohe në fillim të marsit 1999 dhe kohën tjetër e kanë dërguar në Helshan, si një lexues hartash. Më 22 Qeshor 1999 ka hyrë në Kosovën e çliruar.  Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi (Lladrovci) së bashku me Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka bien heroikisht në përbëllje me forcat serbe më 22.09.1998, në Drenicë. A thua vallë vërtet ky “Gjeneral” e takoi Fehmiun...?
Në betejën për t’u bërë protagonist i ngjarjes historike të shqiptarëve, në median shqiptare kohët e fundit “gjenerali me tre yje” përdor një sasi të konsiderueshme datash (a thua vallë krejt kanë qenë në duart e tij!?) dokumenta të luftës, titujt, situacionet dhe eksponentësh të tjerë, për të cilat më parë Spiro Butka duhej të bënte me dije se a ka të drejtë t’i publikojë ato. Natyrisht këtë ja kërkon interesi këtij “Gjenerali më tre yje”, me ç’kuptohet se ai po na bën me dije, se përveçse paska qenë njëri nga ushtarakët më të rëndësishëm të luftës, na ditka dhe shumë gjëra, ndoshta “ja paska zënë dikujt bishtin me derë”, për të publikuar në shtypin shqiptar gjëra të luftës, për të cilat nuk ka ardhur koha.
Në rëndësinë e vet, Spiro Butka solli dhe xhevahirin tjetër, atë të listave të ushtarakëve, pjesëmarrësve në luftë, të vrarëve, të plagosurave e të tjera gjëra të luftës nga Shqipëria, sepse më shumë se sa hasianët, kuksianët, tropojanët, dhe të gjithë njerëzit e luftës së Kosovës dhe luftërave të tjera, për atë që ju takon atyre, më mirë ditka ky ushtarak, i cili është “zhytur” deri në fyt në mëkat.
Duket se ka një nxitim të çuditshëm ky njeri me veset dhe dëlirin e njeriut që vuan kompleksin e të qenit protagonist. Një ves i njohur ky për “të bërë ish atje ku s’ka pula”, sepse s’ka pasur mundësi dhe s’ia ka besuar kush këtë punë. Ndërmarrja e tij kuptohet mirë, sepse në këtë histori me “sedra” protagonizmi dhe luftërat e fundit të shqiptarëve janë bërë të zakonshme, sa nuk dimë kë të nderojmë më parë të rënët apo të gjallët e kësaj kategorie që kur në front vriteshin djemtë e ardhur nga Perëndimi, këto të fundit ushqeheshin me “pilaf” nëpër kuzhinat e Hasit dhe të Kukësit. Me të tillë si Spiro Butka i bie se nuk ka vend për të nderuar ato që dhanë gjakun.
Ndoshta shumë shpejt për të vërteta më të mëdha, përtej këtij opinioni si ky, do të flitet kush ishte lufta, njerëzit, të gjallët e ndershëm dhe të gjallët e pandershëm, se të rënët s’kanë nevojë për kujdesin e mashtrimit. Ato kanë dhimbje dhe do të kenë, sa prej gjakut të tyre po përpiqen të përfitojnë ca të gjallë, madje të marrin lavdi ... Spiro Butka i ngatërron kohët, bashkë me ato që e lejojnë. Janë kohë të tjera “gjenerali me tre yje”, lufta i ka akoma të gjallë eksponentët që dinë gjithçka mirë për ato që luftuan, për ato që u fshehën, për ato që bënë mirë dhe ato që nuk bënë mirë në luftë. Në luftë shkuan shumë, dikush dhe nuk u kthye, por mos mendo se nuk u kthyen të gjithë për ta treguar të vërtetën që një ushtarak i çdo lloji qoftë nuk mund t’i shtrembërojë.
Spiro Butka, me gradën më të lartë të njohur në jetën e tij Major, punë më të mirë që mund të bënte do të ishte të botonte C.V e tij. Le ta bëjë njëherë këtë akt qytetarë, për të pasur moralin t’iu flasë të tjerëve në median e shkruar dhe ato të tjerat. Luftës i duhet thënë luftë z.“Gjeneral me tre yje”, që nuk i ke, por po i vë vetë...  
                                                                           Postuar nga; Rajmonda Maleçka – Gazetare
                                                                        Ish – pjesëmarrëse në luftën e UÇK -së


          

Search site

© 2014 All rights reserved.