Intervistë e qëllimtë më poetin Tafil Durakun

Intervistë e qëllimtë më poetin Tafil Durakun

Bisedë e qëllimtë: Tafil Duraku - shtigjet e jetës së tij krijuese, artistike e atdhetare

 

 DO DËSHIROJA TA JETËSOJA, PLOTËSISHT, PLATFORMËN SHEKULLORE SHQIPTARE: TË HUAJËN S’E DUAM, TONËN S’E JAPIM!

 Tafil Duraku, krijues shumëdimensional, poet, shkrimtar, publicist, përkthyes dhe veprimtar i dalluar e njohës i mirë i çështjes së pazgjidhur shqiptare, autor i shumë veprave letrare, redaktor e lektor i shumë librave të fushave e autorëve të ndryshëm, udhërrëfyes dhe udhëpërshkrues i saktë e i përpiktë i gjeografisë së Atdheut dhe trojeve të copëtuara shqiptare, për bashkimin e të cilave nuk pushoi së vepruari e së shkruari kurrën e kurrës, prej kur e mësoi gjyshi i tij plak, Haxhi Danë Duraku. Punonjës shumëvjeçar i Edicionit të Librit “RILINDJA”, pjesëmarrës i luftës se lavdishme lirimtare, fotoreporteri i parë i UÇK-së në ZO të Drenicës...

Tash, i papunë, jeton në Prishtinë. Vepron në Tiranë, Prishtinë, Shkup..., me të, këtë radhë, zhvilluam një bisedë të qëllimtë, për ta njohur opinionin shqiptar cili dhe kush është Tafil Duraku, alias, “RIPRESS”-i i luftës së lavdishme të UÇK-së...

 Pyetje: Tafil Duraku, cili është ai për për opinionin dhe për lexuesit kureshtarë shqiptarë ?

 T. Duraku: Kam lindur në Burojë të Drenishtës së Skënderajt, më 1 shtator 1952. Katër klasat e para të fillores i kam mbaruar në paralelen e ndarë të Shkollës fillore “Liria” të Turiçefcit, në Vojnikë, ndërsa, tetëvjeçaren e plotë e kam mbaruar në Turiçefc. Shkollen e mesme, gjimnazin, e kam filluar në Skënderaj, në Gjimnazin “Ramiz Sadiku” (vitin e parë), e kam vazhduar në Pejë, në Gjimnazin “11 Maji”, dhe, e kam kryer në Klinë, në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi”... Kushtet për shkollim, askohe, ishin shumë të vështira, sepse, vitin e parë kemi udhëtuar, me shumë shokë të tjerë entuziastë, madje, dimër e verë, këmbë, prej Buroje e deri në Skënderaj, sepse, nuk kishte as autobusë dhe as mjete të tjera udhëtimi...

 Pyetje: Po, studimet dhe pse zgjodhët për ta studiuar frëngjishten ?

 T. Duraku:   Për shkak të specifikave objektive e subjektive të rrethanave të kohës, kam zgjedhur ta studioj frëngjishten, në Fakultetin Filozofik – Dega për Gjuhë dhe Letërsi Frënge, në Prishtinë, sepse, prirja për gjuhët nuk më ka pushuar kurrë dhe kam menduar se mund të kontribuoj më shumë për çështjen e pazgjidhur shqiptare. Të gjitha këto që i kemi arritur deri këtu, i kemi arritur në kushte pakrahasimisht të vështira. Meqë isha student i dalluar i Katedrës së Gjuhës Frënge, m’u dha mundësia që të shkoja në specializim të gjuhës frënge, në Francë, sa më kujtohet – në Paris, por, asokohe, duhej nxjerrë vërtetimi se mund të udhëtoja jashtë shtetit, duke u pajisur me pasaportë, por, kur vajta në Skënderaj, me vërtetim të Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Frënge, në të ashtuquajturin Drejtorati i Mbrojtjes Popullore, ku punonte njëfarë Hamit Kabashi, ku, asokohe, m’u refuzua kërkesa dhe m’u tha preras: “Ti nuk mund të marrësh ‘pasosh’ kurrë, me dalë jashtë shtetit, sepse, je armik i Jugosllavisë”... Atëherë, duhej të përpinim e të duronim shumëçka, dhe, mirë që nuk na përjashtonin edhe nga studimet... Por, meqë nuk u pajisa me pasaportë, pasi e kreva vitin e parë, vendosa të shkojë në shërbim ushtarak, në mënyrë që të më krijohej mundësia për ta marrë nodnjë pasaportë dhe për të dalur jashtë shtetit, por, meqë nuk ndodhi as kjo, për shkak të sigurisë sime dhe të kushteve të vështira ekonomike, u detyrova të shkoja në qytetit bregdetar të Splitit, të kryeja punë krahu e të punoja çkado vetëm për t’i vazhduar studimet... Në Split, asokohe, ishte vetëm një Universitet Punëtor për Mësimin e Gjuhëve të Huaja dhe quhej “Gjuro Sallaj”... Punoja në Ndërmarrjen Ndërtimore për Punë Detare “Pomgrad”, të Splitit, e cila ndërmarrje, për nevoja të saj profesionale shkollonte kuadro me mjete të veta financiare, sidomos, për mësimin e gjuhëve të huaja, si anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht... dhe studimi zgjaste pesë vjetë. Për këtë më njoftoi një shok imi kroat dhe më tha se duhej të shkoja të vazhdoja studimet, meqë vazhdimin e tyre e bënte të mundur, me mjete të vetat financiare, organizata ku punoja. Pasi që asokohe isha student i vitit të dytë i Universitetit të Prishtinës, Fakultetit Filozofik, i Katedrës për Gjuhë dhe Letërsi Frënge, në Prishtinë, më duhej t’i nënshtrohesha provimit pranues. Pasi e dorëzova kërkesën, së bashku me indeksin, më ftuan që t’i nënshtrohem provimit pranues, për ta ditur ata shkallën e përgatitjes sime profesionale. Pasi hyra në provimin e caktuar pranues, pas një kohe të caktuar më njohtuan me shkrim se kisha treguar aftësi profesionale për vitin e pestë (të fundit), për mësimin (studimin) e Gjuhës Frënge, të cilin e kreva me sukses të shkëlqyeshëm... Duke i provuar studimet në Split, nuk desha t’i vazhdoja më studimet në Prishtinë, sepse, dallimi i metodave mësimore e studimore ishte shumë i madh, sa nata me ditën, dhe kur e krahasoja Universitetin e Splitit me atë të Prishtinës, më dilte saktësisht se Universiteti i Prishtinës ishte Universitet i torturave të mëdha e kriminale që u bëheshin vetëm studenteve shqiptarë, sidomos, atyre që nuk e përkrahnin “bashkim-vëllazërimin” me Titon...

 Pyetje: Kur keni filluar të shkruani, dhe, a keni përdorur edhe nofka të tjera gjatë krijimtarisë suaj, sikurse gjatë luftës së lavdishme të UÇK-së ?

 T. Duraku: Me shkrime jam marrë që nga klasa e pestë e shkollës fillore, kryesisht, me poezi. Është fat i madh që krijimtarinë nuk e përcaktojnë titujt, diplomat dhe “shkollat e mëdha”, sa është edhe fatkeqësi, sepse, tek ne ka qenë shumë e vështirë marrja me krijimtari, për shkak të pushtimit klasik të trojeve etnike shqiptare, si dhe për shkak të bindjeve politike, sepse, përparësinë e marrjes me “kulturë” e kanë gëzuar renegatët “letrarë” e letraxhinj “shqiptarë”, ose, siç u them unë, “shqiptaro”-titistët... Asokohe, shqiptarinë duhej ruajtur e kultivuar kujdesshëm, madje, mund ta krahasoj me ruajtjen e fëmijës nga e ëma, sepse, ndryshe, ka qenë shumë vështirë të ecësh shqip dhe me kurriz tëndin... Ngado që jam kthyer, kam parë para vetes një gojë të madhe ujku që donte të na përpinte e të më gllabëronte pamëshirshëm edhe mua, dhe, ajo gojë e keqe, fatkeqësisht,  ka qenë “shqiptare”, “patriotike”, dhe, e tillë është edhe sot e gjithë ditën... E them këtë, sepse, poezia ime plaçkitej nga “redarët letrarë” dhe hidhej në shportën e bërllokut, por, gjatë studimeve të mia në Split, botova një cikël poezish, tek revista letrare e atjeshme, “Vidik” (“Horizonti”), më 1980, pastaj, disi, nisën të hapën edhe dyert për krijimtarinë time... Edhe pse me vështirësi të mëdha, kam botuar në të gjithë shtypin e kohës, poezi, tregime, etj. Por, shpeshherë, kemi përdorur edhe nofka të ndryshme e të shumta, për të mos rënë në sy të pushtuesit dhe të renegatëve të tij “shqiptarë”... Ndër to, do e veçoja nofkën Dardani, të cilën e kam përdorur në revistën “Zëri i Rinisë”, në Rubrikën “Letrat e dashurisë”, sepse, vetëm në atë mënyrë, dhe, në mënyrat që ndërronim përditë, arritëm të ecnim drejt dhe shqip... Nëse më lejoni, do ta kujtoja këtu, edhe për ju dhe për lexuesit shqiptarë, një letër dashurie me të cilën kërkoja me ngulm bashkimin e trojeve të pushtuara e të copëtuara shqiptare, duke i simbolizuar kufijtë artificialë që na copëtonin, pamëshirshëm, me gardhet e oborreve të shtëpive tona... Dhe, pasi ishte publikuar letra, redaktori i pacipë “shqiptar”, dhe, “patrioti” i të gjitha kohëve “shqiptare”, e kishte marrë në pyetje redaktorin që e kishte publikuar “Letrën e dashurisë”..., por, nuk më kishte zbuluar... Pos nofkës “Dardani”, kam përdorur edhe pseudonime të tjera, me të cilat jam përpjekur ta jap kontributin tim modest për çështjen e pazgjidhur shqiptare...

 Pyetje: Nga ai pozicion shqiptar, ju, nuk keni lëvizur as sot, as kurrë, pse ?

 T. Duraku:  Po, më thoni, ju, mua, si mund të lëvizet nga pozicionet e pastërta shqiptare?!... Ne, edhe atëherë, e, edhe sot, kemi punuar e punojmë për Kombin dhe për Atdheun Shqiptar, dhe, për t’i arritur ato qëllime fisnike e kombëtare, do ndërrojmë mënyra e mënyra veprimi, dhe, udhë e udhë shqiptare... Se, udhët tona, kanë qenë, janë dhe do mbesin shqiptaro-shqiptare përherë, për të gjithë shqiptarët dhe për Atdheun tonë të përbashkët, GjeoEtnik, GjeoFizik, GjeoAutokton dhe GjeoNatyror... Jo edhe pa vështirësi të mëdha, përpjekjet tona do realizohen me bërien e Shqipërisë – SHQIPËRI, dhe, për këtë nuk ka asnjë dyshim... Ne, edhe në gojën e ujkut, jemi përpjekur ta ruajmë e kultivojmë shëndetin shqiptar të brezave dhe të rinisë shqiptare, të cilin, sot, si dje, po e shkatërron kasta “patriotike” e “shqiptaro”-titistëve të përbetuar jugosllavë... Ju lutem, vetëm shikoni sot mediat e shkruara dhe pamore “patriotike” dhe “kombëtare”... Absurditetet e tyre publike... Për dikë, më vlerë ka, ta zëmë, një “Big brothers”, sesa Atdheu Shqiptar... Pak prej miqve tanë punojnë për ta bërë një Shqipërinë, të cilën e kanë copëtuar qeveritë e papërgjegjshme të Fuqive të Mëdha të kohës, ndërkaq, kur është fjala për “Big brothers”, nuk kursehet as Ambasadori i një shteti tonë mik dhe të shkojë ta promovojë “përparimin” tonë dhe të arritura e “mëdha”!... (Sic!)...

 Pyetje: Po, për jetën e një ushtari në ish-APJ, çfarë mund të na thoni, tash, pas tridhjetë e ca vjetësh ?

 T. Duraku: E, ç‘të them për atë “jetë”?!... E pata për “fat” që të shërbej në Shkup, ku, shërbenin edhe shumë shqiptarë të tjerë nga të gjitha viset e pushtuara shqiptare të Kosovës... Por, edhe në ushtri më morën për të keq, sepse, asokohe, i tuboja shqiptarët që shërbenim atje, i mbroja dhe organizoja ndeja të shpeshta me ta, sidomos, pasditave të lira dhe gjatë uikendeve... Por, rashë në sy tek shërbimet sekrete ushtarake dhe më denoncuan për “nacionalist”, “irredentist” dhe “separatist”, madje, edhe për ndarës e përçarës të nacionaliteteve të “bashkuara” e të “vëllazëruara” jugosllave dhe kërkuan që të më dërgonin në Gjykatën Ushtarake... Për çka më çuan në ‘raport’ tek njëfarë gjenerali i APJ-së, që quhej Branisllav Iliç. Dhe, kur më mori në pyetje, ai, në kabinetin e tij të punës, në kazermën “Marshali Tito”, në Shkup, me akuzoi se unë bëja “grupacione”, “probleme”, etj., duke i tubuar shqiptarët në rrethe të ndryshme të Kazermës, duke kënduar këngë shqipe, etj., dhe, më akuzonin për “nacionalist-separatist”, etj. Por, kur ma dha fjalën, e para që iu përgjigja, ishte: Mirë, z. Gjeneral, nëse, unë, ju shoh duke ndenjur me një shka (serb), a është mirë dhe a është e udhës e njerëzore që unë t’ju akuzoj për nacionalist dhe separatist, e, t’u them se ju, serbët, po bëni “grupacione” kundër nacionaliteteve të tjera në APJ, siç më akuzuat ju mua!?!... Kur e pa shkau, se nuk mund t’ia dilte në krye, me mua, ndërroi taktikë, sikurse edhe e prisja, dhe, më këshilloi që të shkoja të shoqërohesha me një “burrë të mirë”, me një “shqiptar të ndershëm” e me një “jugosllav të dëshmuar”, me një magjistër shkencash të gjeografisë, me njëfarë Tefik Bashën... u befasova shumë për të keq... Dhe, ajo, që më befasoi mëse shumti, asokohe, ishte se kabineti i dhjetarit dhe magjistrit të shkencave të gjeografisë, Tefik Bshës, ishte më i rregulluar sesa ai i një gjenerali të APJ-së... Por, kur e panë se assesi nuk mund t’ia dilnin në krye me mua, për ato qëllime ‘fisnike’ kishin angazhuar një vendës tonin, nga Komuna e Skënderajt, njëfarë Xhemail Bejtën, kapiten, i cili punonte në sigurimin ushtarak të shtetit, dhe, kur më ftoi në ‘raport’ tek ai, sapo hyra në zyrën e tij, hynë tre njerëz civilë të sigurimit ushtarak të shtetit dhe m’u drejtuan me fjalët: “Duraku, ne i kemi të gjitha informatat për ty, ke kujdes, se, do të shkosh si qeni n’rush!” (kërcënimi m’u bë në gjuhën serbçe) Dhe, ata që m’u kërcënuan, dolën menjëherë, pastaj, “sigurimci” Xhemail Bejta, si “vojno lice” që ishte, e, edhe si “patriot” edhe i UÇK-së, më tha: “E sheh ku e ke çuar punën?!...” Ndërsa, duke i parë skenarët e sajuar të akuzave dhe kërcënimeve, i thashë: Unë, askujt, nuk i kam bërë asgjë, dhe, për atë, nuk ia kam frikën kurrkujt... Dhe, kështu u ndamë me “patriotin” e ish-APJ-së, Xhemail Bejtën... Shkurt, nuk e di as vetë, sesi arrita të shpëtoj i paburgosur në APJ... Por, nëse dikush ka merita për shpëtimin tim, ato i takojnë eprorit tim të drejtpërdrejtë, kroat, Kruno Dugaliçit, me të cilin kisha një shoqërim të çiltër dhe miqësor...

 Pyetje: Ku u punësuat pas “Pomgradit” të Splitit dhe, si ia kalut me punë atje?

 T. Duraku: Në “Pomgrad” punuam së bashku me shokun dhe mikun tim, Islam Morinën, i dënuar më vonë në APJ, në Sarajevë, më 1983. Por, ajo që përjetuam në Split ishte kulmi i drejtësisë njerëzore, sepse, edhe pse patëm filluar të punojmë si punëtorë të thjeshtë, sapo e kuptuan shkallën e emancipimit (shkollimit) tonë dhe kulturën e punës, nuk na lanë më të punojmë si punëtorë krahu, por, na avancuan, mua në shef të një depoje të materialit ndërtimor, e, Islamin, depoist, sepse, ai, e njihte më pak gjuhën kroate, e cila, për mua, nuk paraqiste problem... Ndërkohë, u njoha me një shkrimtar kroat, me shokun dhe mikun Mirko Petroviçin, i cili, kur pa shkallën e talentit dhe të intelektit tim, më tha që të shkoja të punoja në Radio “Sarajeva 202”, redaktor për emisionin e gjuhës shqipe, “Kronika”, vetëm se duhesha ta bëja një testim të zërit në Radio Prishtinë... Nuk mund të kaloj atje, i thashë, por, ai, më tha: “E rregulloi unë atë punë, ti, vetëm vepro si të them unë, mos bjerë në kurthet që mund të t’i bëjnë, si shqiptar që je!”... Në Radio “Sarajeva 202” punova shumë, dhe, pos stafit serbo-çetnik të asaj redaksie hibride, të gjithë ishin të kënaqur me mua dhe me punën time... Deri sa punoja atje, interesimi i xhaxhait, Nebil Duraku, për kthimin tim në Kosovë, ishte shumë i madh... Një ditë, derisa isha duke e pirë një kafe në lokalet e Radio Sarajevës, erdhi një kolege e punës dhe më tha: “Të kërkojnë në telefon nga Prishtina!”... Vajta te telefoni, dhe, sapo mora receptorin, e njoha zërin e Xha Bilit, siç e quanim ne, axhën Nebil... Pasi u pyetëm me njëri-tjetrin, ai, kaloi menjëherë në temë. “Tafil!”, më tha: “Duhet të vishë të punosh në Prishtinë, hë për hë, do të fillosh si referent për çështje të librit, në Edicionin “Rilindja”, pastaj, e sheh puna punën!”... As nuk mund t’i pohoja diçka, e, as ta mohoja punën dhe përkushtimin këmbëngulës të tij për të më kthyer në Kosovë, sepse, thoshte Xha Bili: “Kosova ka shumë nevojë për kuadro të shëndosha!”...

 Pyetje:  Puna e juaj në Rilindje, para, gjatë dhe pas luftës së UÇK-së ?

 T. Duraku: Kur erdha në “Rilindja”, të them të drejtën, fillimisht, mendoja shumë më ndryshe, kisha një bindje më të mirë për shumicën e njerëzve që i gjeta aty... Dhe, duket, Xha Bili, kishte dëshirë të më udhëzonte drejt... Por, ishte çështje më vete se sa mund të më bindte dikush të veproja kundër arsyes dhe bindjeve të mia, të cilat ecinin në hap me zhvillimet më dinamike të kohës, brenda çdo kohe... Për gjithçka dhe për çdo njeri, e kisha krah të fortë edhe mendimin e Xha Bilit, i cili më rrëfente për historinë e secilit, veç e veç, sepse, i njihte në imtësi “intelektualët” dhe intelektualët, dhe, të gjitha ato këshilla, i krahasoja dhe i vija në raport me bindjet e mia praktike e pragmatike... Por, sado që kisha dëshirë të ishte ashtu siç doja unë, dhe, siç e përfytyroja intelegjencën shqiptare, sidomos, pjesën më patriotike të saj, zhgënjehesha përherë e më tepër, sepse, ajo, në esencë, ishte “inteligjëencë” e vërtetë dhe “patriotike” që ç‘ke me të... Dhe, kur e shikoja thellësive të themeleve të saj, zor të rehatohesha e ta qetësoja veten, për faktin se ato themele kishin për qëllim final theqafjen e shqiptarisë, tok me doket, zakonet dhe traditat e lashtësisë pozitive, njerëzore e shqiptare... Kisha dëshirë t’u besoja disave, për të cilët më fliste axha Nebil mirë, por, te ta zgënjehesha mëse shumti... Duke i besuar Xha Bilit tim të dashur, u lëshova në një “liri”, që më lejonte të bisedoja edhe me njerëz të qarqeve patriotike jugosllave, “shkrimtarë” e “intelektualë” të dalluar e të njohur, që gëzonin pozita të larta të federatës jugosllave, të cilëve ua “zbuloja” fshehtësitë e mia, duke i drejtuar kah dajat e mi, madje, duke  u thënë prerazi se pa angazhimin e të tillëve, si dajat e mi, në radhët e çdo ushtrie e lëvizjeje shqiptare, vështirë se do të arrihet diçka e përmasave kombëtare e shqiptare, sepse, ata janë të lindur ushtarakë e luftëtarë dhe janë shumë të armatosur e dashamirës të mëdhenj të armëve... Unë, punoja në N. B. – Edicionin e Librit “Rilindja”, ndërsa, isha bashkëpunëtorë edhe i gazetës “Rilindja” dhe vazhdueses së saj “Bujku”, por, me përjashtime shumë të vogla, të ndonjë individi apo grupi të vogël, “Rilindja” si kreaturë e ish-Jugosllavisë, nuk ka qenë në krah të UÇK-së, as para, as gjatë dhe as pas luftës së lavdishme të UÇK-së, sepse, njerëzit që kanë qenë dhe që janë zgjedhur në krye të saj, praktikisht, kanë qenë njerëz të ish-sistemit jugosllav, ose, vartës të tyre, të cilët, fatkeqësisht, kanë qenë dhe kanë mbetur kundër çdo ndryshimi pozitiv, që do mund t’i bënte mirë emrit të vetvetes sonë, emrit të ndritur shqiptar të RILINDJES, që rilindë vazhdimisht... Por, fatkeqësisht, ajo nuk mund të përtëritej me “rilindësit” ‘patriotikë’ të Titos, me bijtë e dëshmuar të tij...

 Pyetje: Çka ndodhi, më vonë, me Rilindjen, e, çka tash ?

 T. Duraku: Kur flasim për “Rilindjen”, duhet ta bëjmë një sqarim të vogël, sepse, me emrin “Rilindja” kanë funksionuar disa ndërmarrje dhe shtypshkronja, ndër to është edhe Ndërmarrja Botuese, ose, Edicioni i Librit “Rilindja”. Unë, kam qenë pjesë e Edicionit. “Rilindjen” e shuan “patriotët” shqiptarë, dhe, atë, thënë urtisht, “kryepatriotët” shqiptarë... Atëherë dhe tash, “Rilindja” ka qenë dhe vazhdon të jetë në duar të “shqiptaro”-titistëve të përbetuar dhe në duar të antishqiptarëve më të mëdhenj... Mirëpo, pas luftës së lavdishme të UÇK-së, ka mundur të ndodhë një ndryshim shumë pozitiv, që emri i “Rilindjes” të shfrytëzohet për të mirë të shqiptarisë dhe të shqiptarëve, gjë që, “shqiptaro”-titistët, nuk lejuan të bëhet ndryshimi... Një faj e ka edhe i ndjeri Tahir Desku, i emëruar nga UÇK-ja për emërime në postet e “kulturës”... Dhe, ai, personalisht, më ka rrëfyer për presionet që ka pasur prej kastave “patriotike” nazmirrahmaniane, për ta bërë drejtor njëfarë Daut Demakun... Duke më thënë, asokohe, se kishte biseduar edhe me “Dhjetëshin”... Por, edhe pse ishin njerëzit e ndryshimeve brenda saj, njerëzit e UÇK-së, me origjinë dhe koncepte të pastërta shqiptare, njerëz të shitur dhe të korruptuar nuk lejuan që forca të shëndosha shqiptare të vinë në krye të saj... Në shkurt të 2006-tës, pasoi një vendim politik, skandaloz dhe antishqiptar i Ministrisë së Kulturës, me të cilin u ndërpriteshin pagat punonjësve shumëvjeçar të “Rilindjes”, të cilin e kishte nënshkruar njëfarë Astrit Haraçia, por, që ishte ndikuar prej qarqeve “patriotike” e “shqiptaro”-titiste, si Nazmi Rrahmani, Daut Demaku, etj., etj., të cilët e kishin më të lehtë ta emëronin veten në krye të të ashtuquajturit “Këshill për Botim” i Ministrisë së Kulturës, sepse, vetëm në atë mënyrë do të mund t’i plaçkitnin, edhe si botues privatë, mjetet e Ministrisë së Kulturës, duke e goditur parapa krahëve dhe pamëshirshëm botuesin e vetëm shtetëror të Kosovës, dhe, duke e plaçkitur buxhetin e Kosovës dhe xhepat e tagrapaguesve shqiptarë... Po, ju lutem, ma gjeni një botues privat, në botë, që veprimtarinë e tij botuese e sponsoron shteti, ndërsa, nuk e mbështet botuesin e vetëm shtetëror, siç është rasti me N. B. – Edicionin “Rilindja”?!...

 Pyetje: Ku është “Rilindja”, sot ?

 T. Duraku: “Rilindja”, sot, është në pus pa fund... Pusi dhe pafundësia e saj janë kuadrot (lexo: kudrat) e vjetra të mendësisë komuniste e “shqiptaro”-titiste jugosllave, të strukur e të kamufluar në esencën e tyre antinjerëzore dhe antishqiptare, përherë, të mbuluar, trash e më trash, me zhgunën “patriotike” e “kombëtare”... Për 50 vjetë rresht, buxhetin e Kosovës, në emër të “Rilindjes”, e kanë plaçkitur të njëjtit njerëz që, në emër të “ligjit” dhe të “kulturës”, e plaçkisin edhe sot, vetëm se e kanë ndërruar emrin, prej “Rilindja”, ta zëmë, në “Faik Konica”, etj., që, po të ishte, sot, gjallë Faik Konica, do i pështynte edhe më zi sesa lëvantinët e tij... “Rilindja”, tash, gati pesë vjetë, është duke pritur vlerëshmëri të ligjit dhe drejtësi ligjore, dhe, lënda e saj është në Gjykatën Supreme të Kosovës... Thjesht, ne, punonjësit e saj, po presim drejtësi, sepse, atë që e pamë dhe e përjetuam deri më sot, mund të jetë gjithçka tjetër, por, drejtësi, njerëzi dhe shqiptari, jo!...

 Pyetje: Po, a mund të na thoni, o nip i bardhë, kush fshihej prapa nofkës RIPRESS, shkrimet dhe fotografitë e të cilit publikoheshin, gjatë gjithë luftës, në shtypin e kohës ?

 T. Duraku: Meqë isha njëri prej njerëzve që “shëtisnin” prej Prishtinës në Zonën e Lirë të Luftës, dhe, anasjelltas, gjithsesi, për shkak të sigurisë sime, më duhej ta zgjedhja një nofkë, ose, të shkruaja edhe pa të fare, në gazetat e kohës, por, që, atë e dinin vetëm disa njerëz që duhej ta dinin, dhe, ajo që ishte më e pranueshmja për mua, ishte RIPRESS, si shkurtesë e Rilindjapress, sepse, mendoja se pas luftës së lavdishme të UÇK-së do respektohen vlerat shqiptare, sidomos, ato të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të cilat na sollën deri këtu, ku jemi sot, por, tek të cilat vlera e gjeja vazhdimisht Shqipërinë e tërë etnike, të cilën deshi ta sakatosë dikush, siç e sakatosi këto dymbëdhjetë vjetë të pasluftës së lavdishme të UÇK-së... Ju, e dini se kam qenë i vetmi njeri që ka qëndruar në disa pika të forta të UÇK-së, ku e kishte burimin edhe forca kryesore, organizative dhe ushtarake e saj dhe prania ime fizike atje, gjatë gjithë kohës së luftës, ka qenë shumanshëm e dobishme...

Pyetje: Çfarë mund të na thoni për organizimin e formacioneve të para të UÇK-së ?

 T. Duraku: Organizimi i forcave dhe formacioneve të para të UÇK-së i ka themelet e veta në disa katunde të Drenishtës (Drenicës), sidomos, do veçuar trekëndëshin Açarevë-Burojë-Prekaz... Kam qenë në rrjedhë të plotë të rrethanave dhe  të ngjarjeve, por, gjithmonë, i pakontrolluar prej “patriotëve” ‘shqiptaro’-titistë&Co... Meqë, me Açarevën më lidhte nipëria ime açarevare, sepse, pata fatin të isha nip i Selimëve të Kodrës, të cilët, herët, i kam orientuar drejt, duke i pajisur me literaturën e ndaluar që vinte nga Shqipëria Amë, madje, edhe duke i kyçur në rrjedhat e bëries së Shqipërisë, dhe, s’do mend, edhe vendi ku e kisha sigurinë më të madhe qe, pikërisht, Açareva. Organizimi i formacioneve të para të UÇK-së është bërë në konspirim të plotë, mbi bazën e besimit të plotë dhe të patundur familjar e kombëtar të shqiptarëve... Atë organizim e kam parë te daja Destan Selimi, sepse, dajat më të rinj, gjithë organizimin përmbajtësor-ushtrimor përpiqeshin ta kamuflonin duke luajtur futboll, për t’i mbushur bateritë me forcë, sepse, e ardhmja jo fort e largët priste angazhime konkrete... Disa gjëra, asokohe, i bisedoja vetëm me dajën Destan, me askë tjetër... Por, po ashtu, më kujtohet, kur vëllai im, Haziri, më bëri një “befasi”, duke më pyetur: “Çka po ta merr mendja, a me u kyçur në UÇK-së?”, pa ditur se, unë, isha në rrjedha edhe më herët. “Kanë qenë dy persona dhe më kanë ofruar t’i marrë armët, por, pa biseduar me ty, unë, nuk kam pranuar të kyçem, e, as t’i marrë amët”, vazhdoi ai. E vetmja gjë që e pyeta asokohe, qe pyetja ime konkrete: Kush ishin ata dy njerëz?... Dhe, pasi m’i tregoi emrat e tyre, iu përgjigja: “Merri armët, lëri në shtëpi. Aty jemi të gjithë. Populli shqiptar duhet liruar nga zjedha serbo-jugosllave dhe Shqipëria duhet bërë një...” Ndërsa, pas shumë kohe, pasi nisën luftimet e ashpra, vëllai, Haziri, në prani të shokëve të tij luftëtarë, iu tha shokëve: “Jo, Tafilin, nuk ishte lehtë me e provue, se, kur i kam thënë a t’i marrë armët..., më ka thënë: merri, por, tash po i them se armët i kam pasë në shtëpi mbi gjashtë muaja përpara se e kam pyetur!...” Këto, për mua, ishin formacionet e nderit të UÇK-së së legjendarit Adem Jashari...

 Pyetje: Kontaktet e juaja të para me personalitete të UÇK-së, nëse po, me kë dhe kur ?

 T. Duraku: Në Açarevë, shkoja shpesh, sepse, me dajat kam pasur një lidhje jo vetëm nipërore, sepse, dajat edhe i kanë dashur nipat, po, edhe ne, nipat, i kemi dashur dajat, sipas maksimës së njohur shqiptare: A ka më i bardhë se pëllumbi? Vetç nipi ndër dajë!... Po, konkretisht, me fillimet e luftës, në Kullën e dajës Sokol, veteran i UÇK-së, u takova me njërin prej formacioneve të UÇK-së, në krye të të cilit qe Dibran Fylli, Xhemail Selimi-Flladi, Safet Selimi, Ismet Selimi, Brahim Fylli, etj. Ishin ato ditët dhe vitet më krenare të jetës sime, kur e botova edhe ciklin me poezi, në gazetën studentore “Bota e Re”, me titull “Pranverë në Açarevë”, madje, duke e shoqëruar atë cikël me një thanë që sapo kishte lulëzuar (të cilën e fotografova) dhe ndillte pranverë shqiptare... Dhe, ajo që duhet parë, sot, me kujdes është çështje më vete: Kush e preu dhe kush po e pret pas shpine gjithë atë sakrificë të asaj pranvere shqiptare, të betimit të madh të UÇK-së për LIRI e për SHQIPËRI... UÇK-ja është fryt i punës së palodhshme të veprimtarëve shqiptarë, dhe, jo e “shqiptaro”-titistëve. Nuk është fare me rëndësi se çfarë emri do të kishte forca liritare e lirimtare e bashkimit të shqiptarëve, e luftës së imponuar për liri e për Shqipëri... Unë, t’u them të drejtën, krah i asaj force ushtarake kam qenë gjithmonë, pavarësisht sesi do të emërtohej ajo, dhe, dëshmimin tim e kam treguar me mbajtjen e dajës tim, Vesel Selimit, në shtëpinë dhe familjen time, në një banesë private në Prishtinë, sepse, ai u plagos rëndë në luftë me shkiet, më 30 dhjetor 1991, në krah të forcave të Komandantit Legjendar ADEM JASHARI...

 Pyetje: Çfarë domethënie ka për poetin Tafil Duraku pozicioni i UÇK-së “Te Zabeli i Fyllave” ne Açarevë ?

 T. Duraku: Kam parë dhe kam vizituar shumë pika të UÇK-së, gjatë qëndrimit tim në Zonën e Lirë të Luftës, kam parë dhe kam takuar shumë personalitete të luftës për liri e për Shqipëri, si Komandant KAPUÇIN, SANDOKANIN, AB-në, CD-në, FEHËN, etj. Por, për mua, si për nga organizimi, si për nga pozicioni, si për nga përbërja dhe disiplina ushtarake, pika numër një e UÇK-së, është dhe mbetët, pikërisht, PIKA E FYLLAVE, ose, siç e quani ju, “Te Zabeli i Fyllave”, tok me bashkëpikën e krahut luftarak PIKA E QELIVE, etj. Aty, i kam bërë fotografitë e para të UÇK-së, të cilat ia kanë shtie tmerrin armikut pushtues e fashist serbo-jugosllav!... Ajo luftë titanike, me të gjitha ngjarjet e saj, mbesin përherë të paharrueshme për mua, dhe, besoj, për familjet tona, të cilat ishin pjesë e pakëputur e saj...

 Pyetje: Fotografitë e para në pozicionet e UÇK-së, në ZO të Drenicës, ishin tuat, si arrite që ato fotografi t’i punoshë në Prishtinë, dhe, t’i shpërndashë nëpër mediat e atëhershme ?

 T. Duraku: Fotografitë e para të luftëtarëve të lirisë e të Shqipërisë – SHQIPËRI, i kam bërë në PIKËN E FYLLAJVE dhe është i vetmi Komandant i UÇK-së, Dibran Fylli, ai i cili më ka lejuar ta fotografojë dhe më ka thënë: “Fotografomë sa herë të duash dhe fotografitë e mia botoji ku të duash...”, por t’u them të dejtën, gjithçka që kam bërë për atë luftë të lavdishme të UÇK-së shqiptare, e kam bërë me vetëmohim dhe me përgjegjësi të madhe..., sepse, shumicën e njerëzve të saj i kisha familjarë: dajë, nipa, tezakë, miq, shokë, dhe, nuk kisha qejf që ndokush të pësonte nga rënia ime në pritat e ushtrisë dhe të policisë pushtuese, gjakatare e gjenocidale serbo-jugosllave, sepse, nuk ishte aspak lehtë asokohe që të qarkulloje, më shumë këmbë sesa me automjete, sidomos, në kohën kur pushoi së qarkulluari treni, e, besa, edhe qarkullimi me autobusë ishte me rreziqe të mëdha... Shpeshherë, filmat i fusja mes karrikave të autobusit, apo, të trenit, por, gjithmonë, në rast të rënies eventuale në pritë, i kisha të gatshëm për t’i hedhur dhe për të mos u gjetur në dorën time... Edhe zhvillimi i tyre dhe bëria e fotografive nuk ishin pa rreziqe të mëdha, sepse, mund të përgjoheshe, dhe, fotografitë, para se t’i merrje ti, të binin në duart e sigurimit serb, prej të cilit ekzistonte rreziku të kapësha në çdo hap... Por, mosbartja e vazhdueshme e aparatit fotografik kishte një lehtësi për mua, sepse, atë e lija te dajët, në vend të sigurtë... Gazeta studentore, “Bota e Re”, ka merita të mëdha për publikimin e shkrimeve dhe fotografive të mia për luftën e UÇK-së, prej nga u janë përcjellur të gjitha mediave të tjera vendore dhe ndërkombëtare...

 Pyetje: Meqë ishit pjesë e pandarë e luftës së lavdishme lirimtare, reporteri i parë dhe i vetëm i UÇK-së që ka qëndruar në Açarevë, Çabiç, Ujmirë, Burojë, etj., a mund të na thoni diçka për formimin e Trupës Artistike Ushtarake “Hamëz Jashari”, si dhe për rëndësinë e Manifestimit “Ai është i gjallë”, tash “Epopeja e UÇK-së”, që është organizuar e mbajtur nëpër flakë të luftës, në Prekaz, më 6 MARS 1999 ?

 T. Duraku: Meritat për formimin e Tupës Artistike Ushtarake (TAU) “Hamëz Jashari”, lidhen kryekëput me emrin e luftëtarit të paepur të UÇK-së, me emrin e regjisorit Dibran Fylli. Të bësh organizime të tilla në flakë lufte, është largpamësi dhe kombëtarizëm i kulluar, sepse, për emrin e Dibran Fyllit lidhen edhe shumë manifestime të tjera atdhetare, si “Ai është i gjallë”, i cili u mbajt në Prekazin e legjendarit Adem Jashari, pikërisht, në njëvjeorin e rënies heroike të tij dhe të familjarëve e shokëve të tij. Vazhdimësi e këtij përkushtimi kombëtar, nga shtëpia botuese “Rilindja”, autori Dibran Fylli, e botoi edhe përmbledhjen me poezi, po me emrin “Ai është i gjallë”, dhe, autorësia është e tij, e askuj tjetër. Unë, në Tahir Deskun, tash të ndjerë, kurrë, nuk e kam pasur asnjë besim, por, kur e kanë sulmuar disa “patriotë” ‘shqiptaro”titistë e ibrahimrugovistë, kur ishte kryetar i LSHK, kam dalë publikisht në mbrojtje të tij dhe kam thënë, afërsisht kështu: Për mua, më i mirë ka qenë çdo shqiptar që ka qëndruar në Zonën e Luftës dhe që ka ikur çufërr më çufërr nga forcat pushtuese e fashiste serbo-çetnike, sesa ata që kanë ngrënë e kanë pirë me shkie e shkina, në Prishtinë, dhe janë ahenguar në “Alenë e Shpëtimtarëve të Kombit”, në Kompleksin “Qafa”... Pra, përherë, përpiqem të jam shumë i sinqertë dhe ta them të vërtetën ashtu si e di dhe si e njoh unë, i pëlqej dikujt, apo, jo!...

 Pyetje: Po për Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë”, a mund të na thoni diç, si e shihni themelimin e tij, fill pas përfundimit të luftës dhe si e sheh sot ?

 T. Duraku: Doemos, merita të veçanta për themelimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, i cili festival lidhet me emrin e Komandantit të UÇK-së, Mujë Krasniqi-KAPUÇI, i takojnë regjisorit Dibran Fylli. Ai festival, nga disa qarqe që nuk ia donin dhe as ia duan të mirën luftës për liri e për Shqipëri, është parë me shumë skepticizëm, dhe, nuk është përkrahur sa duhet e siç duhet, por, fatmirësisht, falë këmbënguljes së shqiptarëve, sot, në dhjetëvjetorin e themelimit të tij, parë realisht, e ka formësuar fizionominë e tij të një fesivali të shkallës kombëtare... Mund të them se gjatë qëndrimit në burg, pafajësisht, të autorit të atij festivali, Dibran Fyllit, ka pasë edhe ngecje në organizim e përmbajtje... Por, ai festival i folklorit shqiptar, sërish, mori gjallërinë e tij të duhur me daljen nga burgu të autorit të tij të vërtetë. Sivjet është dhjetëvjetori i themelimit të tij, dhe, sigurisht, do kremtohet si një dhjetëvjetor suksesesh e të ariturash kulturore në nivel kombëtar e shteteror shqiptar...

 Pyetje: A mund na e përshkruani me disa fjali figurën komplete, artistike e kombëtare, të aktorit drenicas, Zeqir Duraku ?

 T. Duraku: Me këtë pyetje më keni kthyer shumë prapa, në një kohë që e kujtoj me shumë kënaqësi, sepse, realisht, kemi çka kujtojmë për atë kohë shqiptare, për artistin dhe aktorin e njohur shqiptar, kushëririn tim dhe shqiptarin e madh, Zeqir Duraku. Zeqiri ka qenë dhe ka mbetur njeri i thjeshtë, shumë tokësor dhe shumë njerëzor, por, mbi të gjitha, një kryeshqiptar i vërtetë dhe mbrojtës i pashoq i kauzës së pazgjidhur shqiptare. Nuk i them këto vetëm për hatër të kushërillëkut që kam me të, por, vërtetë, ai është nismëtar i kulluar i shqiptarizmës në Drenishtë dhe më gjerë. Kemi qenë shumë të afërt, sepse, kemi bashkëvepruar, bashkëjetuar dhe bashkëdiskutuar për shumë tema të nxehta që asokohe i preokuponin shqiptarët-shqiptarë, por, jo edhe “shqiptaro”-titistët “patriotë”... Këtu, jam i obliguar ta them publikisht, ndodhinë që më ka rrëfyer kushëriri im, Jakupi, para dy vjetësh, kur kishte qenë në një komision votimesh, i cili më tha: “Tafil, kurrë nuk të kam treguar, as ty, as Zeqës, për shkaqet që ti dhe Zeqa i dini dhe i kuptoni më mirë se askush. Por, kur isha anëtar i komisionit të votimeve, XY (e tha emrin dhe mbiemrin), sapo ju pa nga dritarja, nga larg, duke ardhur ti e Zeqiri, tha: “I nxumë këta dy irredentistat që po vinë!...”... E futi një fletë të bardhë mbi fletëvotimet e tjera dhe kur harroi duke parë prej jush, unë, e tërhoqa atë...”... Kjo është e vërteta për Zeqirin dhe bashkëveprimtarët e tij, të cilët kurrë nuk ranë në duar antishqiptare, falë syçeltësisë së tyre, sepse, Zeqa dhe unë, kurrë nuk kemi pranuar bashkëpunim nga njerëz që kemi fituar bindje të këqija, që në shikim të parë, dhe, për gjithçka, jemi konsultuar me njëri-tjetrin... Pas nesh kanë hapëruar, pastaj, të gjithë të rinjtë e lagjes, dhe, më gjerë, të gjithë shqiptarët që kanë pasur gjak shqiptari në damarët e trupit të tyre shqiptar... Burim frymëzimi për Zeqën dhe për mua ishin librat që lexonim fshehurazi, dorë pas dore, me besë shqiptare, Radio Kukësi dhe Radio Tirana, Televizioni Shqiptar, e të tjera burime informacioni shqiptar, por, jo, kurrën e kurrës këta që sot vetëquhen kryepatriotë të “Republikës së Kosovës”, që shpikën “kombin kosovar”, “gjuhën kosovarishte”, “himnin kosovar”, e të tjera horrëllëqe “kombëtare” e “patriotike”...

Pyetje: Çfarë mendon shkrimtari Tafil Duraku për shtëtësinë e Kosovës ?

T. Duraku: Pa u bërë shtetëzimi i Shqipërisë-SHQIPËRI dhe i shqiptarëve në të, pa u njohur shtetësia shqiptare e të gjithë shqiptarëve në trojet e tyre etnike, unë, nuk besoj në “shtetësitë” brendashqiptare. Ato, thjesht, janë sajesa për ta mashtruar e për ta vënë në gjumë të thellë polar, popullin shqiptar. Nuk jam i prirur të shoh shtetësi të paqena, të rreme dhe antishtetësi të llojit të “shtetësisë” që e kemi sot, të “shtetësisë” hibride “kosovare”... Është shumë keq, që disa shokë të luftës sonë titanike, të UÇK-së, kanë pranuar të jenë pjesë e atyre sajesave joshqiptare, të cilave u ka paraprirë, për vëzhgues e njohës të vëmendshëm, “kryepatrioti” Ibrahim Rugova&Co-të e tij “patriotike”, “institucionale” dhe “institucionaliste”, të viteve të 90-ta... Motoja e jonë e punës dhe e veprimtarisë ka qenë dhe mbetët bashkimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë-SHQIPËRI, pa bajraktarizma dhe “patriotizma” ‘shqiptaro’-titistësh dhe këlyshësh të tyre të njohur në radhët shqiptare... Fatkeqësisht, shqiptarët dhe Shqipëria kanë pësuar për fajin e atyre që kanë qenë dhe që janë në pushtetet “patriotike” shqiptare... Ju, lutem, ç‘nënë është ajo nënë që nuk e pranon amësinë e fëmijëve të saj, dhe, ç‘prindër të mirë janë ata që fëmijët e tyre i degëdisin udhëve të pafund të kësaj bote hileçare!?!...

 Pyetje: Dhe, ku është, sot, Tafil Duraku ?

 T. Duraku: Tafil Duraku, punon dhe vepron, si gjithmonë, shumë shqip. Krijimtaria dhe veprimtaria ime shqiptare është e pashterrshme, sepse, ajo ka në thellësitë e saj gurra burojash të lashtësisë shqiptare, të trashëguara nëpër breza e breza gjyshërish e stërgjyshërish shqiptarë... Tash e katër vjetë të plota, bredh udhëve të Prishtinës, me vendime antinjerëzore, antishqiptare dhe antirilindje të Astrit Haraçisë&Co, për çka janë në dijeni të gjitha institucionet më të larta vendore dhe ndërkombëtare, në Kosovën e trepushtuar shqiptare. Por, fatkeqësisht, këtu, nuk ka as vlera, as ligje, nuk respektohen as ligjet, as vlerat... Po, është me rëndësi të thuhet se Tafil Duraku gjëllin, siç ka gjëlluar, gjithmonë, shqip dhe shqiptarisht.

 Pyetje: Për fund, një dëshirë, z. Shkrimtar, dhe, njëkohësisht, reporteri i parë i UÇK-së?

 T. Duraku: Dëshirë e ime më njerëzore është që ta shoh Shqipërinë të lirë, në Gjeoplotninë, Gjeoshpirtërinë dhe në Gjeofizikën e saj natyrore, ku do t’u dëshiroja fat dhe mbrodhësi të gjithë shqiptarëve, brezave tona pasardhëse, sepse, mendojmë, se pa bashkimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në një shtet, kurrë nuk do të ketë qetësi Evropa dhelpër dhe aleatët e saj ujqër, që po na copëtojnë kështu, dhe, kësisoji, po u hynë në ‘hak’ fëmijëve tanë dhe breznive të arta shqiptare. Por, ajo që duhet thënë e rithënë, këtu, është se shqiptarët kurrë nuk u kanë paraprirë luftave dhe as i kanë nxitur ato, ata janë mbrojtur përherë në vatrat e tyre shekullore e stërgjyshore, për t’u shpëtuar gllabërimeve të plota dhe orekseve pushtuese serbo-ruse, të cilët kanë pushtuar toka të arta shqiptare gjer në lumin Danub, në të cila jetojnë, sot, serbët pushtues dhe shqiptarët e asimiluar në serbë... Do dëshiroja ta jetësoja plotësisht platformën shekullore shqiptare “Të huajën s’e duam – tonën s’e japim!”...

 Pyetje: Faleminderit për bisedën, të lumtë dora, penda dhe mendja!

 T. Duraku: Faleminderit edhe prej jush, lumë paçi e bëfshi gjithmonë!

 Bisedës i priu: Dibran Fylli

 Burojë, maj 2010

Search site

© 2014 All rights reserved.