Letër e hapur për opinion

   Për t’ua kujtuar, z. Kryeministër, Hashim Thaçi, Gjeneral-lejtënant, Sylejman Selimi dhe të gjithë atyre që harruan dhe atyre që duan ta dinë të vërtetën për Manifestimin EPOPEJA E UÇK-së!

MANIFESTIMI EPOPEJA E UÇK-së   I KA FILLET NËPËR FLAKËN E LUFTËS SË LAVDISHME ÇLIRIMTARE TË UÇK-së,  NË VITIN 1999

Këtë shkrim, në formë reagimi, do ta filloj në mënyrë kronologjike, por, shkurt e qartë. Duke e parë se të gjithë po luftojnë për karrierë, po mundohen të bëhen mbretër të mbretërive që nuk ekzistojnë, dhe, së fundi, kanë filluar ta zhvillojnë një luftë as të nxehtë as të ftohët, por, luftë për përvetësimin e autorësive të të tjerëve, e kanë keq, madje, shumë keq! Ata mendojnë së bota është vetëm e tyre, dhe, unë, e kam për obligim njerëzor e kombëtar që t’ua kujtoj të vërtetën, e cila është një dhe jo tjetër.
Në shkurt të vitit 1999, me iniciativën time u themelua Trupa Artistike Ushtarake (TAU) “Hamëz Jashari”, në kuadër të SHP të UÇK-së. Në lokalet e Shtabit të ZO të Drenicës, në Likofc, u mbajt takimi i parë dhe u mor vendim që të organizohet Manifestim Përkujtimor në njëvjetorin e rënies heroike dhe të rezistencës titanike të Komandantit Legjendar dhe prijësit të UÇK-së, Adem Jashari, si dhe Familjes se Tij. Në takim morën pjesë Komandant Shaban Shala, Latif Zariqi, Naim Krasniqi dhe Nusret Kadriu (shënime nga procesverbali i datës 15 shkurt 1999 - ditari i luftës). Të nesërmen filluan ushtrimet për pjesën skenike “Ai është i gjallë” dhe u mor vendim që Manifestimi të emërohet me po këtë emër (ideja, skenari dhe organizimi i Dibran Fyllit, me TAU-në, që vetvetiu nënkupton autorësinë e plotë).
Më 6 mars 1999, në orën 11:00, sipër Lagjes se Lushtakëve, në Prekaz, u mbajt, për herë të parë, Manifestimi “Ai është i gjallë”, tash, Epopeja e UÇK-së. Në Manifestim morën pjesë njësite nga shumë Zona të UÇK-së dhe mijëra qytetarë. Nga SHP i UÇK-së, ishin të pranishëm: Sylejman Selimi Komandant i UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës, Sami Lushtaku, Komandant i ZOD, Komandantët Ilaz Derguti, Zejnullah Prokshi, Ilaz Kodra dhe shumë figura tjera të luftës çlirimtare. Programin e udhëhoqi Gani Koci, përgjegjës për informim dhe Elfije Hasani, anëtare e TAU-së (posedoj xhirimin origjinal të kësaj dite dhe dokumente zyrtare).
Në fillimvitin 2000, me urdhër të SHP të TMK-së, më është dhënë besimi që ta organizojë këtë Manifestim me TAU “Hamëz Jashari”. Tanimë, kur TAU kishte tubuar rreth vetes shumë artistë profesionalë e këngëtarë të njohur të estradës, filloj përgatitjet intensive për realizimin e këtij Manifestimi kombëtar. 
5 marsi, u emërtua “Ai është i gjallë”, u organizua në të njëjtin vend, ku, një vit më parë ishte mbajtur, në Prekaz, lagjja e Lushtakëve (program i pasur artistik dhe pjesa e parë skenike), si dhe dy ditët në vijim. 
Në vitin 2001, prapë, me urdhër të SHP të TMK-së, lëshuar nga Komandanti, Gjeneral Agim Çeku, TAU “Hamëz Jashari”, do ta organizojë Manifestimin kombëtar, po më 5, 6 dhe 7 mars, por, tani, me ndryshime të mëdha dhe me një skenar që do ishte i pranueshëm nga të gjithë, dhe, 5, 6 dhe 7 Marsi do të emërohet me emër të ri: DITËT E PËRNDRITJES, dhe krejt në fund, tash: EPOPEJA E UÇK-së, e cila, sipas skenarit, do të ndahej në tri festa, me tre emra: 
5 marsi “Ai është i gjallë”, u organizua në Prishtinë, me parakalimin e Njësiteve të SHP-së dhe të 6 Zonave, si dhe me një program artistik që u mbajt në stadiumin e Prishtinës.
6 marsi – Akademi Përkujtimore dhe filmi dokumentar kushtuar veprës heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jashari, u mbajt në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë.
7 marsi, “Nata e Zjarreve”, u organizua në Prekaz, te kullat e Komandantit Legjendar, duke filluar prej orës 20:00, me ndezjen e flakadanëve të lirisë dhe Kullës së Zjarrit.. Moto “Këtu filloi flaka e lirisë dhe u shpërnda në krejt Kosovën”.   Programi i pasur artistik, zgjati deri në orët e hershme të mëngjesit. Morën pjesë artistë e këngëtarë nga të gjitha trevat shqiptare. Krahas kësaj, ideova dhe organizova Festivalin Folklorik “I këndojmë lirisë”, i cili po mbahet tash e 10 vjetë, rregullisht, për ta nderuar veprën heroike të Komandant Mujë Krasniqit-Kapuçi, në datëlindjen e tij, më 6, 7 dhe 8 qershor, në Klinë. Edhe ky Festival, që nga viti 2002, mbahet nën patronatin e Komunës së Klinës, pa e respektuar e vlerësuar autorësinë!
Kështu ishte edhe viti 2002, tani, me një ndërhyrje të vogël rreth emrit. Me vendimin e SHP të TMK-së, Manifestimi, në mënyrë të prerë, mori emrin EPOPEJA e UÇK-së, kurse, të tjerat mbetën siç ishin, i njëjti skenar, i njëjti organizim, por, tani, bashkëorganizator TAU dhe SHP i TMK-së.
Të gjitha këto që i ceka më lart janë të vërteta, ideja, skenari dhe barra e organizimit për katër vite, tri në liri e një në luftë ishin të pandryshuara, të pranuara dhe me plot komplimente për mua, bile në vitin 2001 Manifestimin e ka ndihmuar financiarisht PDK-ja (mjetet financiare i kam nënshkruar me dorën time, nuk e di a është kryeministri në dijeni, por, z. Adem Grabovci, po, sepse, ai e ka nënshkruar daljen e mjeteve në emër të TAU-së, dhe, pas përfundimit, të gjitha shpenzimet janë të mbuluara me fatura).
Prej Qershorit ’99 deri në Gusht 2002, me TAU organizova afro 100 Manifestime Përkujtimore, dhjetëra Akademi Përkujtimore e solemnitete të tjera, që ia shtuan famën jo vetëm TAU “Hamëz Jashari”. Po ashtu, jam autor i dhjetëra filmave dokumentarë për Dëshmorët e UÇK-së, dhe, ende vazhdoj të punoj me plot energji për Dëshmoret e Kombit, gjakut të të cilëve i kemi borxhe të mëdha...

Dhe, për fund: Në gusht të vitit 2002, “fati” e deshi që, si shumë luftëtarë të lirisë, të ballafaqohem me “drejtësinë” unmikiane. U deshën plot katër vjetë që ta vërtetoj pafajësinë time, derisa, gjatë atyre katër vjetëve, Manifestimi u mbajt nën Patronatin e Kryeministrit të Kosovës, dhe, ai manifestim vazhdon të mbahet me po të njëjtin skenar, ecuri, organizim, e të tjera, dhe, askujt nuk i ra ndër mend, ose, ndoshta dhe pandoshta hiç, kanë harruar se Manifestimi i ka rrënjët në flakët e luftës dhe ka një autorësi të pamohueshme, por, edhe vetë autori është gjallë, dhe, të paktën, në mos asgjë tjetër, meriton që të jetë pjesë e organizimit të veprës së vet, të ndërtuar nëpër flakë të luftës për liri e për drejtësi njerëzore e kombëtare, dhe, autorësinë, nuk do t’ia dhuroj askujt, për asgjë mbi faqe të dheut, për asnjë çmim.
Për kaq vite, nuk u ndryshua asnjë pikë a presje në skenar, unë, të paktën, do ta freskoja, me ndryshime kreative. Koha është, që programi artistik, në Natën e Zjarreve, të organizohet në qendër të Skënderajt, kurse, ndezja e flakadanëve dhe e Zjarrit të Lirisë, ose, Kullës së Zjarrit, të mbetët ashtu si është, në Kompleks, dhe, në mbarë vendin. Kryetari i Komunës së Skënderajt, do të duhej të mendonte për një skenë verore, sepse, këtë Manifestim nuk e kanë të tjerët, e ka vetëm Skënderaji, dhe, koha është për ta ndryshuar fizionominë e manifestimit, sepse, koha ikën dhe nuk pret!?...
Këtë që e thash, nuk e thash që të krenohem, as të kërkoj përkrahje e lëmoshë nga askush i gjallë, aq më pak të dal në skenë si lypsar, por, thjeshtë, dua ta mbroj atë që e krijova dhe vazhdoj të krijojë për Komandantin Legjendar, edhe shumë e shumë vepra (me kaçikun tim), por, me këtë, desha t’ia kujtoj Kryeministrit dhe Komandantit, si dhe atyre që kanë harruar, por, edhe atyre që duan ta dinë të vërtetën, sepse, EPOPEJA E UÇK-së i ka fillet nëpër flakët e luftës, midis ofensivave të egra e barbare serbe, dhe,   autori e ideatori i krejt kësaj, sot, është invalid i luftës, i burgosur pas lufte dhe tani i pa punë... 
Prishtinë, më 2 mars 2010

 

Search site

© 2014 All rights reserved.