VLERËSIME RRETH VEPRËS “NËPËR DITËT E DHIMBJES DHE TË LIRISË SË KOSOVËS” TË AUTORES RAJMONDA MALEÇKA

VLERËSIME RRETH VEPRËS  “NËPËR DITËT E DHIMBJES DHE TË LIRISË SË KOSOVËS”  TË AUTORES RAJMONDA MALEÇKA


Në kuadrin e fatkeqësisë tonë kombëtare, të gjendjes së copëtimit tragjik të atdheut tonë si popull e si komb na vjen në opinionin e gjerë ky libër me dy pjesët e saj plot domethënie, në atë tekstuale dhe në atë ilustruese, me autoren e njohur edhe si penë, po edhe si luftëtare e Kosovës, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare që i përket viteve të fundit të shekullit 20, që sapo e kemi mbyllur.
Unë pata rastin ta njoh edhe direkt të inkuadruar në radhët e UÇK – së, në gjirin e së cilës ajo kishte qëndruar me tërë forcën e qenies së vet, ku brijë saj kishte edhe Bujar Maleçkën, të cilin e kishte jo vetëm baba, por edhe bashkëluftëtarë të veprimtarisë atdhetare.
Kur po botonte librin e vet të titulluar : “ Preludi i Lirisë” në shtypshkronjën “Ramiz Sadiku” tani “Kosova”, pikërisht në çastin përfundimtar m’u drejtua: Ja titulli “Preludi i Lirisë”, të pëlqen? Jo i thashë, vëre emrin, pra titullin, “Preludi Pavarësisë”, pasi pa Pavarësi nuk mund të ketë liri të vërtetë, si hallkë për kalimin në tërësinë tonë kombëtare. Shumë pak heshti dhe kështu vendosi, në çast ai libër u fut në procesin finalizues. E urova me dashamirësi. Ajo më kuptoi shumë drejt dhe shumë shpejt. Sot, sadopak po i përkushtohem këtij libri të ri, jo si kritik, pasi nuk ka as mendime dhe as botime pa kritika, por si ish – recensues e si parathënës, duke u ndalur posaçërisht në disa nga vlerat që e përkojnë këtë vepër kaq domethënëse.
Së pari, veprën e përshkon realisht frymëzimi ideor mbarëkombëtar në luftë e sipër në Kosovë, pra, në Rrafshin e Kosovës dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Këtë frymëzim e paraqet në lartësinë e detyrave bashkëkohore dhe situatësore, pikërisht nëpërmjet dinamikës së luftës, ku farkëtohej e ngjishej mendimi, vizioni, qëndrimi dhe besimi në triumfin e bindjeve të thella për atdhe e komb. Del se pa këtë triumf bindjesh atdhetare edhe në vetë procesin e zhvillimeve të luftës, nuk do të ishte arritur në sukseset taktike dhe strategjike. Pikërisht kjo bindje thellësisht e përgjithësuar dhe e vënë në veprim, ndërgjegjësoj jo vetëm popullsinë e Kosovës me vise, por tërë kombin tonë dhe tërë opinionin botëror. Po të mos ishte kjo, faktori ndërkombëtar do të ishte i shurdhër dhe memec, ndërsa faktori i brendshëm do të mund të rrëshqiste jo pak në parulla disfatiste dhe në akuza antikombëtare nga forcat e errëta të brendshme e të jashtme. E ky libër argumenton dhe ilustron se si robëruesit serb dhe disfatistët vendas korrën furtunën, ndër atdhetarët, kurorëzuan suksesin nën mbështetje direkte nga faktori i jashtëm, veçanërisht nga vendet Perëndimore. Natyrisht, faktori themelor i fitores ishte ai i brendshëm i mbështetur fuqimisht nga faktori i jashtëm. Është mësim i historisë se pa ekzistencën e faktorit të brendshëm  dhe pa aktivizimin kulmor të tij, nuk mund të aktivizohet faktori i jashtëm në mbështetje të faktorit tonë të brendshëm. Kombinimi i këtyre dy faktorëve mendoj se trajtohet logjikshëm dhe bindshëm në këtë libër.
Së dyti, trajtohet me plot përmbajtje diferencimi i forcave aktive, në pasive dhe në antikombëtare, ku secilës i jepet përmasa e qenësishme pa kaluar e notuar në ekstremizma të palejueshme e të pafalshme.
Së treti, në këtë libër jepet përmasa dhe nota kombëtare e luftës popullore. Ajo ka parasysh se robëruesi gjenocidal serb përfaqësonte mbajtjen në çdo kusht e në çdo mjet të robërisë mbi trupin kombëtar shqiptar të Kosovës, për ta serbizuar atë e për ta kthyer pakicën serbe jo vetëm në sunduese apo robëruese, por për ta kthyer edhe në shumicë, ndërsa shumicën shqiptare për ta kthyer në pakicë. Mjetet paqësore Serbia e kishte shndërruar me mjete lufte shfarosëse, për ta vënë para gjendjes së faktit pjesën shtetërore të kombit tonë, hapësirat shqiptare në Jugosllavi (Serbi, etj) e për ma tepër për ta vënë para faktit të kryer Evropën dhe botën, në mënyrë që kombi serb të hynte në Evropë si Serbi e zgjeruar dhe jo si Serbi e ngushtë, ndërsa Kombi shqiptar të hyjë në Evropë si Shqipëri e cunguar dhe jo si Shqipëri e plotë, aq sa është ai popull, si komb e si shtet.
Në këtë mes, në libër ka parasysh Maleçka tërësinë shqiptare në këtë luftë në Kosovë, përbërjen e formacioneve të UÇK – së, nga të gjitha pjesët e kombit tonë, duke përfshi këtu edhe faktorin diaspora shqiptare, pa hyrë në përmasat numerike të pjesëtarëve apo të efektivit të UÇK – së, të kësaj apo asaj ane apo krahine.
Së katërti, cilëson dhe trajton aktet vetëmohuese dhe trimëritë kolektive dhe individuale të forcave luftarake dhe të vetë popullsisë pa dallim moshe dhe seksi, krahinash e nënkrahinash apo dhe fshatrash. Kështu, përjetësoi në këtë vepër luftën tonë vetëmbrojtëse në hapësirat tona kombëtare dhe shmangien nga kalimi në brendinë e hapësirave thjeshtë serbe, ndonëse mundësitë guerilje kanë qenë nga ana e Kosovës.
Së pesti, në këtë botim të Maleçkës veçori shquese është përkushtimi jo vetëm si luftëtare e armës por aq më shumë si luftëtare e penës përshkruese, fiksuese, dokumentuese dhe dëshmuese, e cila me anë të ilustrimeve të fototekës personale të saj, konkretizon bindshëm veprimtarinë atdhetare në luftë e sipër të njësive luftarake shqiptare anë e mbanë Kosovës.
Kjo vepër përbënë njërën nga dëshmitë ma demaskuese ndaj politikës gjenocidale serbomadhe dhe njërën nga dëshmitë më faktuese të luftës nacional-çlirimtare të Kosovës, kundër çdo lloj robërie, pavarësisht se si reklamohet ajo robëri: si demokratike apo si socialiste, si komuniste apo si kapitaliste. Këtu ajo ka parasysh se robëria mbetet robëri, pavarësisht nga petku i veshur, nga petku demagogjik.
Pena e Maleçkës është domethënëse për një Shqipëri të vetme e unike si komb e si hapësirë tokësore e qiellore, detare e ujore, por jo të coptuar e të mjeruar nën robërinë e fqinjëve. Është domethënëse mendimi i saj se në Evropë duhet dhe do të hyjmë jo me trup të coptuar, por me trup unik. Për këtë ka të drejtë të flasë e të shkruaj kushdo tjetër.
Preteksti se Kosova është rajon multietnik politikisht është antikombëtare dhe realisht është mashtrim si dhe jo real. Ma multietnike është Serbia se sa kombi shqiptar me pakicat përkatëse. Ne shqiptarët problemin multietnik e kuptojmë ma mirë se kushdo tjetër në botë, si pretekst për aneksinë, copëtime e ricoptime nën ombrellën e Evropës “ multietnike” për të përligjur rikthimin e viseve shqiptare nën shpatën e diplomacive në; (Berlin 1878, në Versajë 1919, në Paris 1946).
Kësaj radhë unë vetëm kaq munda që të ndalohem në vlerat e veprës dhe të autores Maleçka dhe të mbështetjes prindërore të saj si familje.
              
Tiranë, Shaban Braha                                                                           Postuar nga:Rajmonda Maleçka

Search site

© 2014 All rights reserved.